English

E reja shqiptare lufton me grabitësin në banesë, ia dorëzon policisë së Kretës

Kretë, 16 Tetor NOA - Një e re shqiptare e cila shihet dhe në foton që shoqëron këtë lajm, është bërë heroina e Iraklios në Kretë të Greqisë, pasi u përlesh me një grabitës që sulmoi banesën e saj me synimin për ta plaçkitur.

Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, informon se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së Enjtes, kur 24-vjeçarja, po kthehej nga puna e saj, në një tavernë.

Kur ka hyrë brenda shtëpisë që gjendet në qytetin Iraklios, ajo ka dalluar një mashkull i cili kishte arritur të hynte me synimin për të grabitur dhe gjendej në dhomën e gjumit ku po rrëmonte në çanta dhe sirtarë.

"Unë hyra në shtëpi dhe pashë një mashkull që po nxirrte nga çanta ime paratë, në fakt ishte qeraja e muajit që unë do të paguaja këtë fundjavë dhe pjesa e mbetur e rrogës", ka treguar për policinë dhe për televizionin Alpha, 24-vjeçarja shqiptare, emigrante ne leje të rregullt qëndrimi në Greqi.

Ndonëse femër dhe jo shumë e zhvilluar fizikisht, 24-vjeçarja i është vërsulur agresorit duke e goditur me ç'të mundte.

Për më tepër, ka arritur ta lidhë dhe më tej të lajmërojë policinë e cila erdhi dhe i vuri prangat.

Forcat policore konstatuan se agresori kishte arritur të merrte 1 300 euro që gjendeshin në banesë dhe ishte përpjekur të zhdukej.

"Ajo që po mendoja ato çaste kur pashë se ai hajdut po më merrte paratë, ishte vetëm se unë nuk mund të mbijetoja pa ato, unë kisha paratë e qerasë dhe pjesa tjetër për të shtyrë muajin", ka rrëfyer 24-vjeçarja.

"Kjo aventurë që përjetova, për mua do të mbetet e paharruar", ka përfunduar e reja shqiptare, kurse fqinjët e saj që po ashtu lajmëruan policinë kur dëgjuan klithmat e saj, e përgëzuan për kurajën që pati.

/n.s/f.sh/NOA/

KOMENTE