English

EULEX-i, si po e diskrediton demokracinë

Në lëmin specifik të ndërtimit të shtetit ligjor, EULEX-i është sjellë dhe po vazhdon të sillet ashtu, që të shndërrohet në parodi tragjikomike të vetvetes

Nga Shqiptar Oseku

Një shtet në tranzicion duhet ta ndërtojë gjyqësorin. Gjykata që gjykojnë njësoj pavarësisht prej rangut social, etnisë a fesë; ligje të përgjithshme për të gjithë. Arrest me afat, prokuror e avokat, Habeas Corpus, tërë kompletin. Shteti ligjor në njërën anë, e procesi zgjedhor transparent në anën tjetër: këto janë dy patericat e një shoqërie të sakatosur nga komunizmi, që zgjedh të çapit drejt demokracisë. Hiqe njërën, e shoqëria nis të shkepojë rrezikshëm. Po i hoqe të dyjat, puthe në qafë demokracinë!

Kush mendon kështu, s'ka se qysh të mos brengoset seriozisht nga aksidentet e vazhdueshme të EULEX-it në Kosovë. A s'është çudi që një mision evropian, që avokon pikërisht ndërtimin e shtetit ligjor, e që është pajisur me kredenciale perandorake sall për këtë qëllim - kështu pohojnë së pakut apologjetët e tij - i fut ndëskembëza mu gjyqësorit që është thirrur ta forcojë?!

E pra, veprimet e deritanishme të këtij misioni s'quhen dot ndryshe. Në lëmin specifik të ndërtimit të shtetit ligjor, EULEX-i është sjellë dhe po vazhdon të sillet ashtu, që të shndërrohet në parodi tragjikomike të vetvetes. Pikë së pari, ai i trajton ndryshe shtetasit e Kosovës, varësisht prej etnisë së tyre. Ekstremistët serbë nëpër enklava hedhin bomba dore mbi policinë, e ushtrojnë qitje mbi fqinjët shqiptarë që tentojnë të kthehen në shtëpitë e veta. Ata e ndalojnë përditë qarkullimin e lirë të njerëzve e shërbimeve. Zënë rrugë, zaptojnë ndërtesa, private e institucionale. Ekstremistët serbë nuk e sfidojnë vetëm ideologjinë e shtetit, por kontrollin mbi territorin, e monopolin e dhunës, që janë dy parakushtet e para të një shteti funksional. Rezultati, zero të ndaluar, zero të dënuar nga misioni evropian për ndërtim të shtetit ligjor. Përkundrazi, ata nga EULEX-i shpërblehen - me një përfaqësues separat! Që thua ti, EULEX-i s'dëshiron t'i poshtërojë ekstremistët serbë, e t'i detyrojë të negociojnë me të njëjtit zyrtarë si shqiptarët...

Ndërkaq, kur vjen fjala te shqiptarët, EULEX-i ia nisi oburra me gjyqësorin, duke i dënuar me 13 vjet burg tre ish-ushtarë të UÇK-së. Tre të pandehurit u dënuan de facto pa dëshmitarë, me avoketër që s'i ushtronin dot instrumentet ligjore. Vendimi u mor me shumicë votash nga dy gjykatës ndërkombëtarë, gjykatësi shqiptar që u shpreh kundër u pezullua nga puna. Procesi është identik me ato të mëhershmit nga gjykatës e prokurorë të UNMIK-ut, mbase për shkak se gjykatësit e prokurorët janë po të njëjtit: ata kanë migruar si karkalecët nga një sistem në tjetrin. Viktimat e dënuara ishin ingranuar në sistem, mernin pjesë në institucionet e tij, dhe e kishin gëlltitur pa bërë zë ideologjinë e tij dominuese, që mëson se ka dallim mes njerëzish e njerëzish (ndërkombëtarë vs. vendorë), se të parët janë të arrirë e të dytët defekt, e se ky dallim duhet fiksuar edhe në ligje (p.sh. duke i shpallur të parët imunë para ligjit). Megjithatë, për fatin e tyre të keq, ata vuanin nga "handikapi etnik": ishin shqiptarë. Në sistemin e UNMIK-ut, njësoj si në kllonin e EULEX-it, ky handikap mund të të kushtojë goxha shtrenjtë: në këtë Kosovë, ku bota ndërhyu për shkak të krimeve serbe, regjistri i një dekade të tërë të gjyqësorit ndërkombëtar është 109 vjet burg ndaj shqiptarëve për krime lufte, zero për serbët!

 Pse të habitemi, pra, kur EULEX- kërkon publikisht nga gjyqësori (!) dënime të ashpra edhe për veprimtarët e VETËVENDOSJE!-s? Këta po guxojnë ta sfidojnë ideologjinë e pushtetit; s'do mend se EULEX-i kërkon t'i quajë edhe "të dhunshëm", ndonëse viktima të "dhunës" qenë vetëm fasadat e ndërtesave dhe rikshat, pardon: xhipat, e ndërkombëtarëve. Represioni selektiv ishte dikur në natyrën e regjimeve koloniale; çdo vizitor në Kosovën anno Domini 2009 mund të konstatojë, se e njejta vlenë edhe në regjimet post-koloniale.

Shtoja kësaj minat që ia ka vënë EULEX-i procesit zgjedhor - lejon zgjedhje secesioniste në enklava, parti politike që nuk zbulojnë burimet e financave të veta, e "dhurata" milionëshe për liderët e partizanët e tyre - pa do të kuptosh që ky vend s'do të shikojë dritë me sy as sot e njëqind vjet. Jo me një kujdestar të këtillë.

Le ta themi troç. Me sjelljen e vet të deritanishme, EULEX-i po e diskrediton jo vetëm veten, por edhe tërë nocionin e demokracisë. Në një vend pa traditë të veten demokratike, ky është një mëkat i pafalshëm. Në një vend ku jehojnë ende thirrjet e bajraktarizmit oriental, urrejtjes etnike, e intolerancës fetare, ky mëkat mund të del edhe i rrezikshëm.

Është ironi paradoksale, e di. Por ky vend, nëse do ta mbarojë suksesshëm tranzicionin drejt demokracisë, duhet ta shporrë pa kapuç EULEX-in, qysh dje: them që sa më herët ta bëjë, aq më mirë. Më mirë për Kosovën, për Serbinë, por edhe për Bashkimin Evropian: diçka më thotë se taksapaguesit evropianë do të ngurronin të derdhin miliarda në një mision që ta çon mallin e kolonializmit. Kosova ka nevojë jetike për BE-në e për NATO-n, por në forma krejt tjera; them se edhe ato kanë nevojë për Kosovën, si bastion të një gjëje të re. Bashkarisht, ndoshta mund të bëjnë diçka më mirë se ky lëmshi që kemi ndërtuar sot.

KOMENTE