English

Ekonomia reale dhe ekonomia virtuale

Matematizimi i çdo fenomeni shoqëror duket se e rëndoi krizën ekonomike globale. Ekonomia është një shkencë shoqërore e ndërthurur. Njohja dhe respektimi i faktorëve shoqërorë dhe psikologjikë në zhvillimin e saj merr një rëndësi në rritje

Nga Arben Malaj Dhënia e Çmimit Nobel gjithmonë ka rëndësinë në mirënjohjen për personalitetet akademike dhe politike më të spikatura. Çmimi Nobel nuk është një konkurs shkencor midis akademikëve, por një vlerësim sa më real i kontributeve të tyre ndaj shoqërisë në tërësinë e saj. Gjithmonë kontributi i tyre vlerësohet për impaktin sa studimet e tyre kanë ndihmuar shoqërinë të ecë më qartë në sfidat e saj. Ka një mospërputhje në kohë midis studimit, kontributit dhe vlerësimit me Çmimin Nobel. Në shumë raste vlerësimi vjen pas shumë viteve, në disa raste edhe me shumë vonesë. Shpesh Çmimi Nobel në ekonomi ka mbajtur parasysh kontributet afatgjata në sfidat ekonomike globale. Vlerësohet se Çmimi Nobel 2009 në ekonomi ka respektuar edhe specifikën e fituesve parë në këndvështrimin e sfidave konkrete të ekonomisë globale. Në një reagim të menjëhershëm në New York Times, theksohej fakti se fituesit e vitit 2009 nuk e kanë mbingarkuar studimin e tyre me modele matematikore, por u vlerësuan për kontributin e tyre, për elementë të ekonomisë reale, për format më të mira të qeverisjes ekonomike, menaxhimit më të mirë të disa pasurive natyrore dhe rreth organizimit më të mirë të kompanive. Nobelistja Ostrom pas studimeve shumëvjeçare argumentoi se shoqatat e përdoruesve, përfitueset reale dhe më të drejtpërdrejta të një bashkëpronësie, mund ta përmirësojnë efikasitetin më mirë se privatizimi i tyre apo menaxhimi publik. Nobelisti Williamson u vlerësua për studimin e strukturave organizative të kompanive, për të qenë më efikase në konkurrencën e tregjeve. Punimi i tyre nuk mbisundohej, si zakonisht, nga modele matematikore të mbingarkuara, por nga fokusi që nobelisti i vitit 2008, Paul Krugman, do ta cilësonte Ekonomiksi i ri i institucioneve. Pranohet që shumë nobelistë ishin fokusuar më parë në mrekullitë e tregut të lirë. Ata mbronin lirinë absolute të tij, debatonin për kufizimin sa më shumë të kufijve të ndërhyrjes së shtetit, mbështesnin derregullimin e tregjeve. Në shkaqet e krizës aktuale përfshihen: absolutizimi i aftësisë vetërregulluese të tregut të lirë, derregullimi i tregjeve financiare, mbivlerësimi i matematikës së aplikuar për të maksimizuar fitimet në investimet financiare dhe sistemi marramendës i bonuseve për menaxherët e kompanive private. Gara për novacione financiare magjibërëse, për t'u bërë i pasur menjëherë, garë e modeleve sa më të ndërlikuara matematikore, teori probabilitetesh të fitimeve virtuale, u bënë sunduese vitet e fundit. Disa analistë dhe politikanë kanë qenë jo pak kritikë për ekonominë e para krizës. Kriza po rritej në progresione matematikore të vështira për t'u kuptuar nga stafet e menaxhimit të kompanive të mëdha, por të vështira njëkohësisht për t'u kuptuar edhe nga institucionet mbikëqyrëse dhe rregullatore. Ekonomia virtuale po ecte shumë më shpejt se ekonomia reale, maksimalisht e derregulluar dhe kjo pa dyshim do ta krijonte krizën pasardhëse. Një ekonomi virtuale që rritej me shpejtësi të frikshme për nga fitimet që pretendonte, frikë e cila nuk ndjehej nga dehja prej skemave dhe bonuseve që vetëm për menaxherët e kompanive private, në 2008 arritën rreth 34 miliardë dollarë. U krijuan dy ekonomi - ekonomia virtuale e fitimeve të pritshme sipas modeleve matematikore dhe ekonomia reale e prekshme dhe konkrete në jetën e përditshme. Diferenca midis tyre rritej shpejt; sa më e madhe kjo diferencë, aq më e thellë kriza. Kontributi i nobelistëve të rinj është pikërisht fakti se fokusi i tyre nuk ishte ekonomia virtuale, por ekonomia reale.

Pikërisht Çmimi Nobel në ekonomi 2009 është mesazh i qartë për sfidat e së nesërmes. Nuk mund të mohohen efektet pozitive të shkencave ekzakte në zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Shqetësimi qëndron te kufiri i dobishmërisë së përdorimit të tyre. Kriteret e përzgjedhjes së sivjetme të fituesve të Çmimit Nobel në ekonomi janë shumë domethënëse. Ekonomia nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm një ekuacion shifrash. Matematizimi i çdo fenomeni shoqëror duket se e rëndoi krizën ekonomike globale. Ekonomia është një shkencë shoqërore e ndërthurur. Njohja dhe respektimi i faktorëve shoqërorë dhe psikologjikë në zhvillimin e saj merr një rëndësi në rritje. Nobelistët e Ekonomiksit të institucioneve kanë qartësuar një rrugë të re, ku suksesi është më i qartë, më i qëndrueshëm dhe më i prekshëm. (Autori është ish-ministër i Ekonomisë dhe ish-ministër i Financave)Â

KOMENTE