English

PS, Dade: Berisha ta marrë seriozisht vendimin për bojkot të zgjedhjeve më 15 nëntor

Tiranë, 18 Tetor NOA - Partia Socialiste kërkoi sot nga shefi i qeverisë që të jetë serioz në qëndrimet e tij dhe t'i marrë po ashtu seriozisht, vendimet e forcës më të madhe të opozitës për bojkot parlamentar dhe të zgjedhjeve të pjesshme vendore më 15 nëntor.

"Sali Berisha në vend që të flasë se ai na paska organizuar zgjedhje të shkëlqyera, duhet patjetër ta marri seriozisht vendimin politik të opozitës për të mos marrë pjesë në parlament, përderisa nuk bëhet transparenca e plotë e kutive të votimit dhe e materialeve zgjedhore".

Kështu u shpreh Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, sot në një dalje për mediat pas mesdite.

Ajo theksoi se manipulimi dhe deformimi i vullnetit të shumicës elektorale padyshim që bën përgjegjës Sali Berishën.

Kurse akuzoi edhe se "Berisha ka abuzuar me bashkëpunimin me opozitën dhe sigurisht vazhdon të ketë një shurdhëri absolute edhe ndaj sugjerimeve të Komisionit Europian, për të rivendosur dialogun politik, i cili në asnjë rast nuk mund të vendoset, në rast se Sali Berisha, nuk merr seriozisht kërkesat e opozitës për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve".

Në këtë pikë, Dade paralajmëroi se Partia Socialiste do të vazhdojë përshkallëzimin e protestave të saj.

Dade shfrytëzoi momentin për "të falënderuar gjithë ata mbështetës, simpatizant dhe anëtarë të Partisë Socialiste, të cilët kanë marrë pjesë në tubimet tona, në mbrojtje të votës së lirë dhe në denoncimin e mashtrimit dhe abuzimit elektoral".

Ndërsa sqaroi opinionin publik, se "PS e ka ndërmarrë këtë aksion politik e imponuar nga situata e krijuar për shkak të vjedhjes së votës dhe manipulimit të vullnetit të zgjedhësve nga ana e përgjegjësit kryesor, Sali Berishës".

f.sh/NOA

KOMENTE