English

A do të tërhiqet Obama?

Shqetësimet e evropianëve lidhen me faktin se "a do të jetë Obama i fortë sa duhet, apo do t'i ikë misionit në Afganistan, ndaj të cilit jemi angazhuar të gjithë", shkruan "Washington Post"

Aleatët evropianë të Amerikës po ndjekin me një lloj ankthi debatet e brendshme të presidentit të SHBA-ve, për dërgimin apo jo të dhjetëra mijëra trupave shtesë në Afganistan. Nëse procesi i dërgimit të trupave shtesë do të vazhdojë, atëherë aleatët e dinë se duhet të marrin vendime politike të vështira e me çmim relativisht të lartë, për të rritur kontributin në Afganistan. Por, me gjithë vështirësitë e një kërkese të tillë, ata ndihen edhe më të shqetësuar nga ideja se presidenti amerikan mund të zgjedhë një strategji të dobët për një mision tepër të rëndësishëm. Aleatët po ndihen të frustruar, pasi duhet të shohin e të presin derisa presidenti amerikan ta ndajë mendjen. "Të gjithë po presim se çfarë do të vendoset në Zyrën Ovale, pa pasur mundësinë për të thënë mendimin tonë", pohon një komandant i lartë ushtarak evropian. Është e ndershme të thuhet se Obama është përpjekur më shumë se Bushi për t'i bashkërenduar politikat amerikane me ato të aleatëve. Diskutimet për Afganistanin dëshmojnë se disa gjëra themelore që lidhen me të qenit superfuqi, nuk ndryshojnë. Evropianët po shprehin padurim dhe ankth lidhur me rishikimin e strategjisë nga Obama. Disa janë të shqetësuar për spektaklin që vjen nga një president i ri, lidhur me hezitimin që ai po tregon ndaj strategjisë, për të cilën vetë u angazhua pak muaj më parë. Por, çuditërisht, një pjesë e shqetësimeve të evropianëve lidhet me faktin se a do të jetë Obama i fortë sa duhet apo, siç thotë një ambasador, "do t'i ikë misionit ndaj të cilit jemi angazhuar të gjithë". Qeveritë evropiane e pranuan planin ambicioz të Obamës, në marsin e kaluar, për të qetësuar Afganistanin. Ashtu si presidenti amerikan, ata nuk e menduan dy herë angazhimin. Në pjesën më të madhe, ata ranë dakord me rekomandimet e hartuara nga komandanti Mekristël, i emëruar nga Obama. Sipas Mekristëlit, nëse humbasim momentin në luftën kundër talibanëve, lufta mund të humbet. Është e vështirë për evropianët të kërkojnë nga SHBA-të dërgimin e 40 mijë trupave shtesë në Afganistan, derisa vetë nuk do të mund ta rrisin këtë numër me më shumë se 3 mijë ushtarë. Në këto kushte, ata fokusohen te pjesa e dytë e ekuacionit. Përse Perëndimi nuk mund të heqë dorë nga përpjekjet për të stabilizuar Afganistanin, nëse atje vendoset një qeveri e besueshme? "Kemi nevojë të krijojmë një qeveri të qëndrueshme në Afganistan, me të cilën mund të punojmë. Në të kundërtën, do të përballemi me paqëndrueshmëri të përhershme në Afganistan dhe në rajon", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen. Rasmusen dhe udhëheqës të tjerë evropianë janë të kënaqur të flasin hapur edhe kundër strategjisë, që shpeshherë i atribuohet nënpresidentit Bajden. Sipas kësaj strategjie, Shtetet e Bashkuara do të fokusohen në operacione kundër terrorizmit, që kanë si cak Al Kaidën. Por, sipas shefit të diplomacisë suedeze, vendi i të cilit ka kryesinë e Bashkimit Evropian, kjo nuk është e mundur, pasi, sipas tij, "krerët e Al Kaidës dhe talibanëve fshihen në zonat urbane". Në kuadër të këtij debati, Britania bëri të ditur dërgimin e 500 trupave shtesë në Afganistan. Angazhimi më i fundit britanik besohet se nuk do të ishte bërë nëse Londra nuk ishte e bindur se Uashingtoni do të marrë vendimin për shtimin e trupave. Në fakt, zyrtarët e administratës thonë se presidenti ende nuk ka marrë ndonjë vendim. Për momentin duket se do të dërgohen trajnues për trupat afgane, por jo ushtarët për betejë, siç ka kërkuar gjenerali Mekristël. Nëse ky do të jetë vendimi përfundimtar, atëherë Obama ka shumë punë për të bërë me aleatët.

KOMENTE