Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ku mund të ndalet vrulli i LDK
English

Ku mund të ndalet vrulli i LDK

Ky profil opozitar mund t'i shërbejë LDK-së për t'i zgjuar votuesit e saj dhe pse jo të arrijë sukses në zgjedhje, por a e zgjidhë kjo problemin themelor të kësaj partie: reformimin dhe rimëkëmbjen e plotë për të qenë në gjendje të përballet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me një PDK të fortë, të mirëorganizuar dhe me një qendër drejtimi?

Nga Armand Shkullaku

Tentativa e lidershipit të PDK-së dhe LDK-së për të hyrë të ndarë në zgjedhjet lokale, por duke ruajtur njëfarë mirëkuptimi dhe pakti të pashkruar mossulmimi për hir të koalicionit qeveritar, po dështon dukshëm. Me gjithë dëshirën që ndeshja elektorale të mbetej në problemet lokale, nga kanalizimet e deri tek taksat në komuna, duke mos prekur qeverisjen qendrore, një gjë e tillë rezultoi e pamundur. Befasinë e kësaj fushate sigurisht e përbën Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, për të arritur sukses, po e sheh të nevojshme të distancohet qartë nga aleati i saj dyvjeçar, PDK-ja e Hashim Thaçit. Eksperimenti se mund të garohet veçmas në komuna pa krijuar telashe në qendër, doli të ishte jashtë logjikës politike në Kosovë. LDK, në mënyrë të rrufeshme, brenda disa ditëve, po arrin ta mbushë thuajse të gjithë hapësirën opozitare në këtë fushatë. Këtë rol, që deri para fushatës më së miri e kishte luajtur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka marrë përsipër partia e presidentit Sejdiu. AAK po duket e tërhequr përballë agresivitetit në rritje të LDK'së. Figura të kësaj partie kanë vënë në shënjestër qartë dhe pa ekuivoke qeverisjen e Hashim Thaçit si shkaktare të problemeve të shumta me të cilat ndeshet sot Kosova. Kandidati i LDK'së për Prishtinën, Isa Mustafa, kritikat e tij i depoziton vetëm në adresë të Qeverisë. Ai po preferon ta shigjetojë Thaçin, dhe jo rivalin e tij direkt, për të treguar se e keqja vjen nga lart. Nënkryetari Haziri gjithashtu ka qenë i ashpër me qeverisjen dhe ka përsëritur se bashkëqeverisja me PDK'në ka qenë një kompromis i dhimbshëm. Një tjetër eksponent, i rikthyer në LDK, Berim Ramosaj, deklaroi se qytetarët në rrafshin e Dukagjinit nuk durojnë dot të vazhdojnë të qeverisen nga Hashim Thaçi. Ka dhe shumë deklarata e qëndrime të tjera që dëshmojnë se goditja e LDK'së në këtë fushatë ka vetëm një target: PDK'në. Kjo strategji e LDK'së, pavarësisht se u shfaq papritur, nuk duket se është e pamenduar mirë. Ajo synon në radhë të parë t'i ringjallë emocionet e elektoratit të dikurshëm që janë ftohur nga "tradhtitë" e shpeshta të saj. LDK po kërkon të tregojë se ka ende forcë, se pushteti i fortë i Kryeministrit nuk e ka vënë përfundi plotësisht dhe se partia e ish presidentit të ndjerë Rugova mund të ringritet. Për këtë arsye, diskursi elektoral i LDK'së shpesh po shkon nga e kaluara, nga diferencimi i identitetit politik me PDK'në, nga provokimi i ndjenjave të shkuara, me shpresë se në këto zgjedhje elektorati i dikurshëm i kësaj partie nuk do të qëndrojë indiferent. Dhe duke e ditur se kjo nuk mjafton, se përveç të kaluarës njerëzit sot kanë një mijë halle për të mbijetuar, LDK po tregon me gisht se edhe për të tashmen fajtore është vetëm qeverisja e Thaçit. Taktikisht, LDK po kërkon t'i lajë duart edhe nga përgjegjësia që ajo ka në bashkëqeverisjen e vendit, që mund t'i kushtojë vota me 15 nëntor. Madje, ajo po shndërrohet gati në viktimë, duke u hequr sikur koalicionin e ka bërë për hir të stabilitetit, me shumë dhimbje, dhe se ministrat e saj dhe Presidenti po vuajnë aty ku janë për hir të Kosovës. Në fushatë nuk po dalin eksponentë të LDK'së që janë në kabinet, as zëvendëskryeministri dhe as ministrat, pikërisht për të lënë në harresë faktin se ata janë pjesë e përgjegjësisë qeverisëse dhe duke i dhënë kështu partisë së tyre një profil opozitar. Ky profil opozitar mund t'i shërbejë LDK'së për t'i zgjuar votuesit e saj dhe pse jo të arrijë sukses në zgjedhje, por a e zgjidhë kjo problemin themelor të kësaj partie: reformimin dhe rimëkëmbjen e plotë për të qenë në gjendje të përballet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me një PDK të fortë, të mirëorganizuar dhe me një qendër drejtimi? Kjo nuk bëhet me fjalime elektorale agresive në teori dhe me bashkëjetesë të patrazuar në praktikë. LDK po synon të tregojë në fushatë se ajo nuk ka thuajse asgjë që e bashkon me PDK'në dhe për këtë arsye njerëzit do të zhgënjeheshin nga ndryshimi i qëndrimit menjëherë pas zgjedhjeve. Veç portofolave të disa ministrive, LDK'ja ka peng të koalicionit vet kryetarin e saj, Fatmir Sejdiun. A do të shërbejë Sejdiu si ai "fëmija" për hatër të të cilit nuk prishet martesa apo jo, kjo pritet të shihet. Por, LDK do të rrezikonte shumë që për hir të interesave të ngushta të luante me emocionet e votuesve të saj dhe ta ndalte vrullin e nisur menjëherë pas votimeve. Kaq larg sa po shkojnë gjërat, një kthim pas do t'ia ulte dhe më shumë dinjitetin partisë së ish presidentit Rugova. Strategjia që po ndjek LDK'ja në këtë fushatë vërtet mund t'i shërbejë për zgjedhjet lokale, por ajo ka kosto të lartë nëse lihet në mes. Nëse vërtetë kjo parti po kërkon ringjalljen dhe pretendon të përballet si forcë kryesore me PDK'në, duhet që pas këtyre zgjedhjeve të dalë nga koalicioni. Problemi i stabilitetit të Kosovës mund të zgjidhet duke lënë Qeverinë, por duke premtuar votat në Parlament për ta shmangur krizën. Edhe këtë herë topi mbetet prapë në fushën e LDK'së. Hashim Thaçi ka komoditetin të kundrojë nga sipër lëvizjet e aleatit të tij problematik dhe afrimin e ndonjë partneri të ri. Këto zgjedhje nuk do të sjellin ndryshime vetëm në komuna.

Marrë nga "Express"

KOMENTE