English

Ekzekutohet në grup një ekip futbolli në Kolumbi

Tachira, 26 tetor NOA - Fund i tmerrshëm për dhjetë nga 11 lojtarë të një ekipi futbolli kolumbian që u ekzekutuan në grup në një krahinë në kufi me Venezuelën.

Mediat vendase raportuan se bëhet fjalë për vrasjen e dhjetë futbollistëve të një klubi amator kolumbian të rrëmbyer dy javë më parë.

Ata janë gjetur të vrarë afër kufirit në Venezuela. Njëri prej 12 të rrëmbyerve ka shpëtuar me lëndime trupore, ndërsa një tjetër rezulton të jetë ende i zhdukur.

Përgjegjës për vrasjen e futbollistëve, mund të jetë grupi gueril i krahut të majtë, ELN, deklaroi një burim zyrtar i policisë në Venezuelë.

Raportuesit nga terreni përshkruajnë siç shihni dhe në foto, se viktimat janë vrarë në "stil ekzekutues" gati dy javë pasi ishin rrëmbyer nga një fushë afër kufirit me Kolumbinë.

Persona të armatosur, të veshur me rroba të zeza, kanë thirrur një nga një emrat e anëtarëve të ekipit, para se t'i rrëmbenin 12-të prej tyre, shumica kolumbianë, në automjete.

Trupat e 10 prej të rrëmbyerve, në moshë nga 17 deri 38 vjeç, janë gjetur në vende të ndryshme në perëndim të krahinës Tachira.

I vetmi shpëtimtar i kidnapimit, 19 vjeçari kolumbian Manuel Cortez, është në spital pasi ishte urdhëruar të ulet në gjunjë dhe ishte qëlluar në qafë. Vëllai i tij, Orlando Lopez, ka thënë se Cortez nuk e kishte ditur se kush ishin rrëmbyesit.

"Ata kanë qëndruar të lidhur për 14 ditë në diell. Ata kanë qenë të lidhur në disa drunj, me zinxhir në qafë dhe me duar të lidhura", tha ai, duke shtuar se rrëmbyesit u kanë thënë pengjeve se ata "nuk janë fajtorë, por duhet vrarë të gjithë për shkak se ua kanë parë fytyrat", - ka treguar i mbijetuari.

Cortez është duke qëndruar në një spital ushtarak në Caracas, ku është transferuar pas një vizite alarmuese në një spital në regjionin kufitar ku ishte trajtuar fillimisht.

Një i panjohur kishte ardhur në spital duke kërkuar ta vizitojë Cortezin, por ishte ndalur nga autoritetet. Sakaq, fati i të 12-tit anëtar të ekipit, mbetet i mistershëm pasi nuk ka asnjë të dhënë për fatin e tij.

KOMENTE