English

Thellohet skandali me ARMO-n

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 26 tetor NOA - "Kompania private ARMO, pronë e biznesmenit Rezart Taçi është një nga firmat që kryen evazion të lartë fiskal".

Pohimin e bëri sot, Erjon Prifti drejtor në Drejtorinë e Tatimeve, i cili tha gjithashtu se kjo kompani nuk është e pajisur me matësa, që do të përcaktonin saktë sasinë e naftës që përpunohet, depozitohet dhe nxjerrjen e saj në treg.

Administrata tatimore sqaron se vendosja e kësaj aparature është detyrim ligjor, të cilin Rezart Taçi ende nuk e ka plotësuar.

Ndaj sipas Priftit, kjo është një nga arsyet e bllokimit të punës.

Ky fakt vë në pikëpyetje xhiron reale të kompanisë e për rrjedhojë edhe tatimet që ajo paguan kundrejt shtetit.

Z. Prifti, evidenton Ligjin për Akcizat, e konkretisht nenin 31 pika 2, sipas të cilit: "Të gjitha furnizimet e marra dhe të gjitha lëvrimet të nënprodukteve të naftës, për qëllime të këtij ligji duhet të maten me një aparat matës, që tregon sasinë e lëngut që rrjedh në të. Pajisja paraqitet nga personi i autorizuar i depos dhe miratohet nga organi tatimor".

Në këtë mënyrë ky detyrim ligjor është shmangur nga kompania në mënyrë të përsëritur, pavarësisht kërkesave të Tatimeve.

Sipas Priftit, Drejtoria rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj në mënyrë të përsëritur ka dërguar urdhra të tillë për bllokimin e punës, por ka hasur në kundërshtimin e firmës.

"Megjithëse ka kaluar një vit nga koha e privatizimit, kompania Armo ende nuk ka plotësuar dokumentet e nevojshme për të vijuar punën në përputhje me ligjin", - ka evidentuar z.Prifti.

Sipas tij, përveç matësve kompania nuk është e pajisur edhe me magazinën tatimore, edhe ky një detyrim ligjor.

Për biznesmenin që ka ambicie prej milioneri për të blerë klubet më të njohura të futbollit, pajisja me dokumentacionin e duhur kushton jo më shumë se 20 mije lekë të reja.

"Sistemi ynë tatimor bazohet në vet deklarimin e subjektit, por nga ana tjetër i njihet si atribut edhe organit të tatimeve të kontrollojnë në rast se mendojnë se ka shkelje apo abuzime. Por në rast se biznesi nuk plotëson dokumentet ligjore, si dhe nuk pajiset me matës, atëherë kontrolli është i pavlerë"- thotë drejtori Prifti.

Kompania Armo ka një peshe specifike në treg.

Mungesa e një kontrolli të saktë për sasinë e naftës që ajo hedh në treg, jo vetëm që është në dëm të buxhetit të shtetit për nivelin e tatimeve që duhet të paguajë, por mbi të gjitha është në dëm të konsumatorëve.

Nafta e Ballshit shitet në pikat e tregtimit të karburanteve për eurodizel.

Vetëm një muaj më parë, Inspektorati Qendror Teknik sekuestroi 1200 litra naftë D2, në një kohë kur qeveria e ka ndaluar tregtimin e kësaj nafte për konsumatorët.

Por në rastin më të mirë kjo naftë përzihet me atë të importit duke ndikuar në dëmtimin e automjeteve.

Një ditë më parë tatimorët mbërritën në Rafinerinë e Naftës në Fier për të bllokuar punën, por ata hasën në rezistencën e drejtuesve të kompanisë, të cilët kanë thirrur edhe policinë e zonës për të bërë presion.

Por ka ndërhyrë policia e qarkut Fier për të shmangur konfliktin e krijuar i cili pa frikë mund të konsiderohet një përplasje brenda shtetit.

r.l/NOA

KOMENTE