English

Tërmeti, Minxhozi: Qeveria bëri trajtim të papërgjegjshëm

Tiranë, 27 tetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka kujtuar banorët e fshatrave të Dibrës që u dëmtuan nga tërmeti dhe qeveria ka bërë shumë pak për t'i ndihmuar ata.

"Në një moment që qeveria shqiptare vazhdon të flasë për heqjen e shpejtë të vizave, hyrjen e afërt në be, mbi 1000 banorë të Gjoricës, Shupenzës, Maqellarës, vuajnë që prej 6 shtatorit në qiell të hapur dhe pa një strehë mbi krye. Mbi 1000 banorë vazhdojnë të mbeten pa strehë, duke kaluar vjeshtën dhe me sa duket edhe dimrin jashtë në njërën prej zonave më të ftohta të Shqipërisë.

Trajtimin që qeveria aktuale i ka bërë tërmetit, është një shembull i qartë i papërgjegjshmërisë, dhe sensibilitetit të ulët të organeve përgjegjëse të shtetit për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tërmetit, rindërtimin e shtëpive, heqjen e banorëve nga çadrat në qiell të hapur dhe rikthimin e normalitetit në të gjithë zonën" deklaroi sot Minxhozi.

Sipas deputetit socialist, deri tani asnjë nga shtëpitë e dëmtuara rëndë nuk është riparuar, ndërkohë që ka pasur një diskriminim në shpërndarjen e fondeve për riparimin e shtëpive të dëmtuara.

"Një pjesë e tyre kanë marrë vetëm paratë e gëlqeres për lyerjen e shtëpive, sepse është paradoksale që të mendosh që një shtëpi mund të riparohet me 5 mijë lekë të reja.

Rreth 20 % e të dëmtuarve nuk kanë marrë ende asnjë qindarkë nga shteti.

Janë lënë në harresë të plotë premtimet e kryeministrit dhe ministrave për këtë dramë të heshtur që konsumohet përditë në sytë tanë.

Partia Socialiste dënon me forcë këtë trajtim shpërfillës që qeveria i ka bërë kësaj drame të rëndë për verilindjen, zonën më të varfër të Shqipërisë.

Ajo ngre sot zërin me forcë, në mbështetje të kërkesave minimale, mëse të realizueshme që kanë banorët, duke tërhequr vëmendjen e opinionit publik për vonesën e pafalshme për normalizimin e jetës në këtë zonë" përfundoi Minxhozi.

k.k/NOA

Â

KOMENTE