English

Gjenden 2 kufoma në lumin Tisa, shkon në 5 numri i viktimave

Prishtinë, 28 tetor NOA-Dy trupa të kosovarëve të mbytur janë gjetur sot pasdite në lumin Tisa duke çuar kështu në 5 numrin e viktimave të cilët humbën jetën si pasojë e përmbysjes së një varke, me të cilën dyshohet se 19 persona po kalonin ilegalisht nga Serbia në Hungari.

Gjykatësi hetues i Serbisë, Erne Berenji, i tha Radios Evropa e Lirë se viktimat e reja janë gjetur në territorin serb.

"Dje kemi gjetur edhe dy të vdekur, një vajzë rreth 10 vjeçe, nuk kemi të dhëna për të, dhe një mashkull 25-30 vjeç. Deri më tani janë gjetur vetëm katër trupa nga ana e territorit tonë".

"Diçka është gjetur edhe nga ana e Hungarisë, dikush thotë një, dikush thotë ndryshe, por ne mund të flasim vetëm për atë që është gjetur në territorin tonë", tha Berenji.

Berenji nuk e bëri të ditur identitetin e viktimave të fundit. Ai tha se identifikimi i tyre po bëhet nga vetë familjarët.

"Të afërmit vijnë te ne dhe të afërmit i identifikojnë trupat", tha Erne Berenji, duke shpjeguar se identifikimi bëhet më i vështirë për shkak të mungesës së dokumenteve identifikuese të viktimave.

Nga katër viktimat e gjetura në Serbi, sipas gjykatësit hetues, vetëm dy kishin me vete dokumente identifikuese.

Ndryshe, me këto viktima, numri i të vdekurve në tragjedinë në Tisë shkon në 5 persona, katër nga të cilët janë gjetur në Serbi dhe një në Hungari. Ndërsa, konsiderohen të zhdukur edhe 11 kosovarë të tjerë. Tre nga personat në barkë kanë shpëtuar.

KOMENTE