English

Orikumi, Selmanllari prononcohet mbi akuzat në shtyp

Tiranë, 30 tetor NOA - Dyshimet e ngritura në shtyp se po kryen ndërtime me dokumente false në Orikum ku ditët e fundit ka pasur incidente dhe përplasje banorë-polici, kanë sjellë sot reagimin e Rahman Selmanllarit.

Ai flet përmes një daljeje publike për akuzat sipas të cilave ka vjedhur, zaptuar apo zbuar njerëz nga tokat e tyre.

‘Pa dashur të polemizoj me mediat që kanë bërë këto publikime, dua të sqaroj publikun se unë njëlloj si pronarët e mediave që më sulmojnë, kam blerë tokë të certifikuar si të lirë e të rregullt në hipotekë, e për të cilën brenda ligjit kam paguar paratë si dhe kam lëshuar apartamente në Tiranë në përfitim të pronarëve të tokës", - thotë Rahman Selmanllari.

"Toka që unë kam blerë brenda të gjitha rregullave, - vijon ai, - është e ndarë dhe e përcaktuar me kufij të qartë nga pronat e pronarëve të tjerë në zonë".

"Ndryshe nga sa pretendohet unë nuk kam ndërtuar asnjë metër katror në Orikum, por njëlloj si shumë pronarë të tjerë ia kam dhënë pronën e blerë, me përqindje, një kompanie të njohur ndërtimi. Që nga momenti që unë e kam blerë pronën në fjalë e deri tani ku aty ka përfunduar ndërtimi (i referohem pronës time) askush nuk më ka kontaktuar apo ngritur pretendimin as në rrugë ligjore e as në forma të tjera, qoftë dhe për një metër katror të pronës që unë disponoj", - vijon deklarata e Selmanllarit.

Këtu ai bën dhe një sugjerim: "Nëse ju si media gjeni qoftë dhe një person që pretendon se ka qoftë dhe një centimetër tokë në përdorim brenda pronës sime, unë jam i gatshëm të ballafaqohem me të, me letra dhe dokumente".

Selmanllari vlerëson se "qëllimi dhe dëshira për të përfshirë emrin dhe pronën time në një histori konflikti ndërkohë që ajo zhvillohet jashtë tokës dhe interesave të mia janë dhe mbeten manovra politike të mediave mercenare, pronarët e të cilëve janë në fakt zotëruesit më të mëdhenj të pronës në bregdet!".

Nga ana tjetër, Rahman Selmanllari ka paralajmëruar se ditën e hënë do të bëjë një padi në Gjykatë për këtë problem.

f.sh/NOA

KOMENTE