English

Meta: Politika të merret më pak me historinë

Tiranë, 31 tetor NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi sot se prioriteti kryesor i Shqipërisë, liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në BE.

Meta ka evidentua se politika jonë, është politikë e fqinjësisë së mirë dhe integrimit rajonal, duke shtuar se Shqipëria, është vend shumë i rëndësishëm për sigurinë e Ballkanit.

Duke folur për raportet me fqinjët, Meta në intervistën dhënë kanalit televiziv Top News në Tiranë, tha se së shpejti do të ketë marrëveshje partneriteti strategjik me Italinë dhe shtoi se edhe marrëdhëniet me Greqinë, janë të një rëndësie strategjike.

Kurse për fqinjin tjetër Maqedoninë, Meta tha se politika duhet të merret më pak me historinë.

Kurse për lidhjet me Serbinë ai tha se marrëdhëniet janë në funksion të stabilitetit të të gjithë rajonit. "Shqipëria dhe Serbia janë vendet kyçe për paqen, stabilitetin dhe integrimin e rajonit", - ka vlerësuar Meta.

Por ai tha se "Serbia duhet të ndjekë të njëjtën politikë ndaj serbëve në rajon siç ndjek edhe Shqipëria ndaj shqiptarëve në rajon".

Në këtë kuadër, Meta tha se "dëshirojmë marrëdhënie më të mira me Rusinë".

Më poshtë, vijon intervista e plotë

Pyetje: Z.Meta, cilat do të jenë prioritetet e politikës së jashtme, në dritën e marrëdhënieve të reja që Shqipëria ka me Bashkimin Europian, duke pasur parasysh se në këtë legjislaturë të re, që sapo ka nisur, me një qeveri të re, ju jeni në krye të Ministrisë së Jashtme, një nga dikasteret më të rëndësishme, si në aspektin politik ashtu edhe kombëtar për Shqipërinë.

Z.Meta: Prioriteti kryesor i politikës së jashtme, pas anëtarësimit të vendit në NATO, pa diskutim që është anëtarësimi i Shqipërisë në BE, çka përbën njëkohësisht edhe një sfidë madhore, por edhe një proçes i cili ka një sërë hapash, që së pari duhet të shoqërohen me progresin e reformave të brendshme. Proces ky që duhet të mbështetet nga një politikë shumë aktive ndaj të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, por ajo çka është shumë e rëndësishme, edhe nga një politikë shumë aktive dhe bashkëpunuese me të gjitha vendet fqinje dhe vendet e rajonit, pasi dihet që përqasja rajonale është një dimension i rëndësishëm i integrimit të çdo vendi. Kjo vlen më tepër për Shqipërinë, politika e të cilës ka shumë rëndësi për ecurinë e paqes, stabilitetit dhe të integrimit të të gjithë rajonit tonë, pra të Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim unë besoj se do të vazhdojmë të ecim me bindje të palëkundur, sepse themeli i çdo suksesi të politikës së jashtme të Shqipërisë deri tani, ka qenë dhe mbetet politika e fqinjësisë së mirë dhe e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal.

Natyrisht që Shqipëria sot është një vend anëtar i NATO-s, dhe kjo nuk do të thotë se angazhimet tona kanë përfunduar. Përkundrazi, ne ndjejmë më shumë detyrim dhe përgjegjësi për të kontribuar në të gjitha sfidat madhore që Aleanca ka, jo vetëm në rajonin e kontinentit tonë, por kudo në botë. Kjo është edhe arsyeja përse Shqipëria ka marrë angazhime suplementare për sa i përket rritjes së prezencës së saj në Afganistan. Padyshim që ky është treguesi i angazhimit të Shqipërisë për të ndarë me partnerët tanë kryesorë dhe në radhë të parë me SHBA, në sfida të tilla globale, të cilat kanë të bëjnë edhe me rajonin tonë, përderisa janë të një rëndësie globale dhe me efekte për sigurinë kudo në botë.

Por pavarësisht nga këto angazhime, të cilat nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen dhe që tregojnë se ne jemi një vend që kontribuon dhe investon për sigurinë kudo në botë, përsëri, kuptohet që kontributi më i madh që Shqipëria mund të japë, është dhe do të mbetet forcimi i sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë. Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për sigurinë e Ballkanit, të Europës dhe të Mesdheut. Në këtë drejtim unë jam i bindur se politika jonë e jashtme është një politikë shumë e qartë, është një politikë shumë konkrete, e cila pa asnjë diskutim do të vazhdojë të japë rezultate të prekshme dhe pozitive për vendin tonë dhe për qytetarët tanë.

Nëse e shohim në një plan më afatshkurtër, padyshim që liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian mbetet prioriteti ynë më i rëndësishëm. Me kënaqësi konstatoj një progres shumë të ndjeshëm të Qeverisë dhe të gjithë institucioneve gjatë gjithë kësaj kohe si dhe një nivel shumë të lartë angazhimi. Unë besoj se kjo është një sfidë që të gjithë ne, së bashku me qytetarët shqiptarë do ta fitojmë gjatë vitit të ardhshëm.

Pyetje: Cilat do të jenë vendet që do të përbëjnë në një farë mënyre pjesën më të rëndësishme diplomatike, strategjike me Shqipërinë, duke pasur parasysh, se ju vetë e cilësuat rajonin si bllokun e parë të këtyre vendeve, por duke pasur parasysh edhe proçeset e tjera integruese të Shqipërisë me vendet e BE. Do të jenë Italia dhe Greqia për shkak të përqendrimit të madh të emigrantëve, apo do të ketë një diapazon më të gjerë marrëdhëniesh diplomatike?

Z.Meta: Natyrisht që ne në politikën tonë të jashtme jemi të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha vendet në botë. Por duke qenë realistë, për peshën tonë, për atë që ne përfaqësojmë, natyrisht që prioritetet tona kryesohen dhe në radhë të parë kanë të bëjnë me vendet që janë më pranë Shqipërisë, me vendet që kanë më shumë interesa të drejtpërdrejta me paqen, sigurinë, stabilitetin në rajonin tonë, ku ndodhet edhe Shqipëria, por duke pasur edhe disa prioritete të veçanta, të cilat unë do t'i shpjegoj më pas.

Marrëdhëniet me Italinë dhe me Greqinë do të jenë shumë të rëndësishme dhe strategjike për arsye se janë dy vende të BE-së dhe të NATO-s, ku tashmë jemi edhe ne. Të dyja këto vende janë shumë të interesuara për perspektivën e rajonit tonë, dhe në këtë drejtim edhe të Shqipërisë. Por edhe për faktin tjetër se janë vende ku ne kemi përqendrimet më të mëdha të qytetarëve tanë jashtë vendit. Dhe natyrisht kur diskutohet çështja e Shqipërisë, apo kur diskutohen çështje të Ballkanit Perëndimor, interesi i Italisë apo edhe i Greqisë është më i madh, është më i dukshëm, se vendet e tjera që janë edhe më larg. Por është e qartë se interesat e këtyre vendeve janë të përditshme, në të gjitha format dhe mënyrat se si shprehen dhe realizohen këto interesa. Ne me Italinë kemi rënë dakord dhe shumë shpejt do të ketë një marrëveshje të partneritetit strategjik që u konfirmua edhe gjatë vizitës që unë pata në Romë, nga kolegu im Italian z.Fratini dhe kjo gjë besoj se do të realizohet në fillim të vitit që vjen, gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Romë.

Pa asnjë diskutim që marrëdhëniet me Greqinë janë të një rëndësie strategjike dhe përgjithësisht ekziston një frymë shumë pozitive bashkëpunimi, për të prekur edhe atë problematikë e cila shpesh herë sjell edhe emocione të instrumentalizuara në politikën tonë.

Ndërsa në raport me vendet e tjera të BE, marrëdhëniet me Gjermaninë mbeten shumë të rëndësishme, jo vetëm se Gjermania është një partner që ka kontribuar dhe kontribuon në mënyrë të jashtëzakonshme në bashkëpunimin ekonomik, financiar dhe teknik, por edhe sepse pesha e Gjermanisë në çështjet e Evropës është shumë e madhe. Nuk ka asnjë diskutim që Gjermania e shikon Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor si pjesë të Evropës, por natyrisht që atje ka debate të brendshme për kohën dhe për periudhën se kur kjo gjë mund të konkretizohet, të cilat nuk kanë të bëjnë me aplikimin tonë. Marrëdhëniet tona me Gjermaninë, me qeverinë e re atje janë një prioritet shumë i rëndësishëm, ashtu sikurse po kaq të rëndësishme janë edhe marrëdhëniet me Francën dhe Britaninë e Madhe, marrëdhëniet me Spanjën, e cila merr edhe presidencën në janar të vitit të ardhshëm. Gjithashtu, edhe për shkak të traditës, edhe për shkak të mbështetjes së jashtëzakonshme, mbeten marrëdhëniet me Austrinë, një vend tjetër evropian shumë i interesuar për Shqipërinë, për Ballkanin. Vlen të përmendim edhe marrëdhëniet me Vendet e Vishegradit.

Ndërkohë që, për sa i takon rajonit, për ne prioritet janë marrëdhëniet me çdo vend. Vazhdimi i marrëdhënieve të shkëlqyera me Kroacinë, me të cilën ndajmë edhe një eksperiencë shumë pozitive për çështjen e integrimit evropian, sepse ata i kanë përvojat shumë të freskëta. Me Slloveninë, me Bullgarinë, me Rumaninë, me Malin e Zi që kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe me Maqedoninë, që njëkohësisht janë shumë të mira por që mund të jenë edhe më të mira, nëse atje politika do të përqendrohet vetëm në çështjet e së ardhmes dhe do të merret më pak me historinë.

Doja të veçoja edhe marrëdhëniet me Serbinë. Sepse pa asnjë diskutim që Shqipëria dhe Serbia janë vendet kyçe për ecurinë e paqes, stabilitetit, integrimit dhe prosperitetit të rajonit tonë. Politika jonë ka qenë dhe mbetet ajo e inkurajimit të shqiptarëve në të gjithë vendet ku ata jetojnë në rajonin tonë, që të kontribuojnë për inkurajimin e proceseve integruese dhe evropianizuese, në mënyrë që shqiptarët kudo që të jetojnë, të fitojnë të gjitha të drejtat që u takojnë dhe të gjithë së bashku të bashkohen në BE. Dhe natyrisht që do të krijohej një frymë pozitive për rajonin tonë në rast se një politikë e tillë do të ishte po kaq e qartë edhe nga ana e Serbisë, në raport me serbët, kudo që ata jetojnë në rajonin tonë. Dhe unë besoj se duke synuar përparimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, duke patur parasysh që çështja e Kosovës, për të cilën dy qëndrimet tona janë të ndryshme në thelb, nuk është një çështje bilaterale, por është një çështje shumë e madhe, është një çështje ndërkombëtare.

Marrëdhëniet tona bilaterale, jo vetëm duhet të jenë në funksion të interesave reciproke, por njëkohësisht duhet të kontribuojnë për një imazh shumë pozitiv të rajonit, përballë Bashkimit Evropian, përballë aktorëve të tjerë shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Dhe natyrisht që mezazhi i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Serbisë ka një impakt shumë më të gjerë në rajonin tonë, dhe jo vetëm në dy vendet respektive. Unë besoj se në këtë drejtim ne do të shënojmë progres pozitiv dhe të qëndrueshëm. Përsëri, theksoj se politika e fqinjësisë së mirë, politika e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal është kyçi i gjithë sukseseve që ka arritur Shqipëria deri tani dhe është elementi më i vlerësuar në përgjithësi nga komuniteti ndërkombëtar kur vjen fjala për të bërë një vlerësim të vendit tonë në raport me vendet e tjera të rajonit.

Pa asnjë diskutim, marrëdhëniet me Turqinë mbeten shumë të rëndësishme dhe prioritare, sepse Turqia është jo vetëm pjesë e rajonit tonë, por është edhe një vend me peshë shumë të rëndësishme gjeostrategjike. Natyrisht që marrëdhëniet janë të shkëlqyera, gjë që dëshmohet nga vizita e Kryeministrit, e Ministrit të Jashtëm brenda gjashtë muajve dhe në dhjetor, edhe e Presidentit të Turqisë në vendin tonë. Kjo tregon se progresi i bashkëpunimit ekonomik dhe i investimeve turke në Shqipëri është shumë i madh.

Këto janë pak a shumë prioritetet dhe vlerësimet për rajonin tonë dhe për Bashkimin Evropian. Ndërsa në një plan më të gjerë, dihet që marrëdhëniet me SHBA janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ne. Ne kemi bërë një vlerësim shumë konkret: SHBA janë një aleat strategjik, veçanërisht për sa i përket çështjeve të politikës së sigurisë rajonale dhe globale. Gjithashtu, rritja e bashkëpunimit ekonomik edhe në fusha të tjera mbetet një prioritet kyç në raportet tona, në mënyrë që marrëdhëniet politike në fushën e sigurisë të shkojnë paralel edhe me bashkëpunimin ekonomik.

Sigurisht vizita e fundit e Zv.Kryeministrit të Kinës, me rastin e 60 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike, tregon se Shqipëria është e ndërgjegjshme për rolin në rritje të Kinës në politikën dhe ekonominë globale. Ne jemi të vendosur që këtë traditë pozitive prej dekadash midis dy vendeve dhe dy popujve tanë ta investojmë për një të ardhme shumë të mirë dhe më konkrete të këtyre marrëdhënieve, veçanërisht në drejtim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

Ne dëshirojmë marrëdhënie shumë më të mira edhe me Rusinë, sepse është një vend shumë i rëndësishëm në politikën globale dhe natyrisht që do të dëshironim të shihnim një qëndrim edhe me realist të tyre që do të ndihmonte shumë më tepër në stabilitetin e rajonit tonë, pasi shpesh herë vëmë re edhe paragjykime për çështje të caktuara të cilat janë jashtë kohës. Ne duam të zhvillojmë marrëdhënie më të mira me Rusinë dhe do të punojmë në këtë drejtim, duke qenë të bindur se është një vend shumë i rëndësishëm, që ka fjalën e tij me peshë në të gjitha forumet më të rëndësishme botërore dhe në mënyrë të veçantë në Këshillin e Sigurimit.

Një vëmendje të veçantë do t'i kushtojmë edhe vendeve të reja ku ne nuk kemi ndonjë traditë shumë të njohur diplomatike në të kaluarën, sikurse janë India apo Brazili ku ne tashmë kemi hapur edhe ambasadat tona. Kjo tregon një interes nga ana jonë për të njohur këto realitete të reja, gjithnjë e në rritje e në zhvillim, duke synuar zhvillim të marrëdhënieve me vende të tjera që po tregojnë një dinamikë shumë më të përforcuar ekonomike dhe politike në planin global.

Dhe padyshim, që si vend mesdhetar, ne do ta forcojmë këtë dimension, sepse nuk jemi vetëm një vend ballkanik, por jemi edhe një vend mesdhetar, dhe në këtë drejtim do të shohim të gjitha marrëdhëniet tona me prioritet edhe me vendet e tjera të Mesdheut.

Nga ana tjetër, kemi marrëdhënie shumë të rëndësime me vendet arabe, të cilat ne do t'i çojmë më përpara, veçanërisht me Emiratet e Bashkuara, me Katarin, me Kuvajtin, dhe me vendet e tjera të Gjirit Persik. Patjetër do të konsolidohen më tej marrëdhëniet me Arabinë Saudite, me Egjiptin, dhe vende të tjera me të cilat ne kemi një traditë pozitive prej dekadash.

Këto janë pak a shumë prioritetet tona ku në çdo rast, e theksoj edhe një herë tjetër, prioriteti ynë themelor ka të bëjë me forcimin e rolit të Shqipërisë në rajonin tonë, si faktor paqeje, si faktor stabiliteti, si faktor tepër i rëndësishëm integrimi. Natyrisht, çdo përpjekje do të jetë në shërbim të anëtarësimit sa më të afërt të Shqipërisë në BE që nuk është vetëm një qëllim, por edhe një mjet për të sjellë standarde të reja në jetën e çdo qytetari shqiptar.

Pyetje: Z. Meta ç'rol do të ketë diplomacia shqiptare, duke pasur parasysh se shteti i ri i Kosovës është një realitet i ri politik, por edhe se Shqipëria tashmë ka një rol të ri për ta ndihmuar Kosovën, në këtë proçes?

Z.Meta: Shqipëria do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet e saj, për të përkrahur njohjen e mëtejshme të shtetit të ri të Kosovës. Jo thjesht dhe vetëm për arsyen se mbështesim një shtet të ri ku shqiptarët janë në një mazhorancë shumë të rëndësishme, por në radhë të parë sepse duke mbështetur njohjen ndërkombëtare të Kosovës, ne ndihmojmë për të forcuar stabilitetin e rajonit tonë ku Kosova mbetet një element kyç.

Natyrisht që bashkëpunimi ynë do të jetë i gjithanshëm dhe i orientuar gjithnjë në drejtim të mbështetjes së integrimit evropian të Kosovës. Për ne mbetet shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i udhëheqësve të Kosovës me Bashkimin Evropian, bashkëpunimi dhe koordinimi i tyre me EULEX-in, i cili pa asnjë diskutim është atje për të ndihmuar shtetin e ri të Kosovës, me qëllim që institucionet e reja, sidomos në fushën e ligjit dhe të sigurisë si dhe e drejta e minoriteteve, të konsolidohen dhe njëkohësisht t'i përafrohen standardeve evropiane, ku Kosova synon një ditë të bëjë pjesë së bashku me vendet e tjera të rajonit. Ne i kushtojmë shumë rëndësi të drejtave të minoritetit serb dhe të pakicave të tjera në Kosovë, sepse mendojmë që çështja e minoritetit nuk është çështje numerike, por është esenciale për të siguruar natyrën demokratike të këtij shteti të ri dhe evropian, që është shteti i ri i Kosovës. Ka të bëjë gjithashtu edhe me standardet evropiane, të cilat janë aq shumë të rëndësishme për të fituar mbështetjen e duhur të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës në të ardhmen.

FUND

KOMENTE