English

Sherri për truallin, Agolli: Do mbrojmë pronën private

Tiranë, 31 tetor NOA-Një ditë pas sherrit të dy policive, asaj të rendit dhe policisë bashkiake për truallin e rrethuar në qendër të Tiranës, ka reaguar bashkia e Tiranës.

Në një dalje për mediat, administratori i bashkisë, Dritan Agolli, ka deklaruar se qeveria po i rikthehet sulmeve ndaj pushtetit lokal, njësoj si katër vjet më parë me prishjen e mbikalimit tek "Zogu i Zi".

Agolli ka sqaruar se trualli i cili u mbulua me dhe gjatë gjithë natës nga fadromat e Inspektoriatit Ndërtimor Kombëtar, është pronë private me pronarë Komunitetin Mysliman dhe bashkëpronarë familjen e njohur "Kika". Sipas tij, prej 11 vitesh, kjo pronë i është njohur pronarëve të ligjshëm të cilët disponojnë çertifikatën e pronësisë.

"Që nga viti 1995 e deri në 2008, për këtë truall, pronarët e ligjshëm janë lejuar të marrin leje ndërtimi për ndërtimin e një godine shumëfunksionale, pothuajse nga të gjitha qeveritë e kryetarët e bashkive të këtyre viteve, qofshin të pozitës apo opozitës dhe së fundi në 2008, dy kompani shqiptare u pajisën me leje ndërtimi për të ngritur qendrën tregtare të përfshirë dhe në planin rregullues të Tiranës, leje kjo e miratuar në këshillin bashkiak nga përfaqësues të të gjitha partive, PS, PD e LSI", u shpreh Agolli.

Bashkia e Tiranës, tha administratori, do të mbështesë pronarët e ligjshëm dhe do të qëndrojë e vendosur përballë sulmeve që pushteti qendror po i bën autonomisë lokale.

m.i/NOA

KOMENTE