English

Basha, "ultimatum" prefektëve: Kapni kohën para se dimri të shkaktojë dëme serioze

Tiranë, 6 Nëntor NOA - Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u komunikoi sot prefektëve dhe nëpërmjet tyre të gjithë drejtuesve vendorë masat që duhet të marrin për parandalimin dhe përballimin e emergjencave që mund të krijohen gjatë stinës së dimrit.

Ai tha se në javët në vijim secili prej prefektëve, veçanërisht ata të qarqeve më në rrezik, duhet të inventarizojnë dhe njohin situatën për çdo aspekt.

Po ashtu, Basha kërkoi që të sigurohet gatishmëria e strukturave lokale për të përballuar hapjen e arterieve kryesore rrugore të qarkut.

"Çdo zonë dhe veçanërisht zonat e thella të kenë stoqe të mjaftueshme medikamentesh bazë për popullsinë. Të sensibilizohen drejtuesit lokalë dhe nëpërmjet tyre popullsia për përgatitjet e duhura. Të kontrollohet gjendja dhe gatishmëria e hidrovoreve, rezervuarëve, digave e dampave në çdo cep të territorit për të cilin jeni përgjegjës. Të merren masat për furnizimin me energji të vazhdueshme të të gjitha objekteve me rëndësi të veçantë në raste emergjencash. Ju duhet të keni plane operacionale plotësisht të zbatueshme në rast të rëndimit të situatës përtej pritshmërisë së zakonshme", - ishin disa nga udhëzimet që veçoi Ministri Basha paraqiti në takimin konsultativ.

Takimi me prefektët e qarqeve dhe përfaqësuesit e strukturave qendrore u organizua për marrjen e masave përgatitore për të përballuar emergjencat dimërore, në kuadër të detyrave që rrjedhin nga programi i qeverisë dhe ai i Ministrisë së Brendshme.

"Ju bëj thirrje që të merrni personalisht situatën në dorë. Do të keni mbështetjen e plotë të të gjithë strukturave përgjegjëse dhe ato mbështetëse. Ministria e Brendshme do të japë mbështetjen e plotë financiare dhe materiale për t'iu përgjigjur çdo lloj situate,- u tha prefektëve Ministri Basha.

Ministri i Brendshëm kërkoi nga të gjitha strukturat e emergjencave civile informacion të shpejtë e të vazhdueshëm, gatishmëri e përkushtim në realizimin e detyrave që burojnë nga ligji dhe ato që dalin në varësi të situatave.

Në këtë takim konsultativ, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Alfred Olli paraqiti një informacion të përgjithshëm për situatat emergjente gjatë vitit 2009.

Në këtë informacion përfshiheshin të dhënat mbi situatat e krijuara nga emergjencat dimërore, lëkundjet sizmike, rrëshqitjet e tokës etj, si dhe masat e marra nga DPEC për përballimin e tyre.

Po kështu, Olli informoi edhe mbi masat organizative, inspektimet dhe studimet e kryera për njohjen dhe përballimin e situatave emergjente në zona të ndryshme të vendit.

Gjatë këtij viti me propozim të Ministrisë së Brendshme, Këshilli i Ministrave ka akorduar fonde me vlerë 271 milionë lekë si për riaftësimin e objekteve publike, për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga dukuritë natyrore dhe për dhënien e ndihmës financiare familjeve të prekura nga këto dukuri.

Gjithashtu nga fondi i emergjencave civile është akorduar një fond prej 22.5 milionë lekë për të ndihmuar familjet me dëme në banesa, shpërndarjen e 47 tonë ndihmave ushqimore dhe 416 çadrave për strehim të përkohshëm, duke bërë të mundur asistimin e 3650 familjeve të prekura nga fatkeqësi të ndryshme në 72 njësi të qeverisjes vendore.

e.r/NOA

KOMENTE