English

Ministri pranon rritjen e çmimit të energjisë: "2 miliardë lekë në buxhet për efektet e saj"

Tiranë, 7 korrik, NOA - Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka pranuar publikisht faktin se mund të ketë një rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin e ardhshëm.

Gjatë një konference për shtyp, ku ai ka detajuar të gjithë treguesit e projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm, ka pohuar sesi qeveria ka parashikuar në buxhetin 2010, një fond kontigjence për efektin e rritjes së këtij çmimi.

"Konkretisht, do të jetë një shumë prej 2 miliardë lekësh si fond kontigjence i parashikuar në buxhetin e shtetit, nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë, për të kompensuar përmes tij të gjitha shtresat në nevojë", ka sqaruar lidhur me një fakt të tillë ministri Prifti.

Duke prezantuar sipas zërave konkretë buxhetin e vitit të ardhshëm, ministri i Ekonomisë ka pohuar se ky do të jetë një buxhet që i lejon qeverisë më shumë investime dhe vënie lekësh në përdorim për nevojat e shtresave të varfra të qeverisë.

"Ky është një buxhet që na lejon të shpenzojmë më shumë për SME-të dhe bizneset. Eshtë buxheti më i mirë në të gjitha kuptimet, kjo pasi të ardhurat asnjëherë nuk kanë qenë më të larta, pasuar edhe nga shpenzimet që rrjedhin prej tyre, në efekt të vazhdimësisë së reformave", citoi Prifti.

Konkretisht, ai tha se shpenzimet e parashikuara në këtë buxhet do jenë 410 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat parashikohet të rriten 12 %, gjë që nuk ndodh në asnjë vend në Evropë.

"PBB parashikohet të rritet 6.5 %, ndërsa inflacioni në nivelin prej 2-3 % dhe kjo na ndan nga vendet e tjera evropiane", përfundoi ai.

n.e/NOA

KOMENTE