English

PS: Rruga e kombit është shembur po aq here sa është përuruar nga Berisha

Tiranë, 7 Nëntor NOA - Partia Socialiste vlerësoi sot se Rruga e kombit është shembur po aq here sa është përuruar nga kryeministri Sali Berisha.

Për këtë vlerësim, zëdhënësja e PS Armela Imeraj, iu referua faktit se dje, një segment prej rreth 80 metrash linearë i tunelit Thirrë - Kalimash është shembur duke rrezikuar jetën e punëtorëve dhe duke bllokuar krejtësisht punimet.

"Janë hedhur më shumë se një miliard euro pas fillimit të punimeve në rrugën e kombit, Â dhe mund të thuhet se tuneli në fjalë, është shembur po aq herë sa është inauguruar për qëllime elektorale nga Sali Berisha", - tha Imeraj.

Partia Socialiste denoncon "faktin që ministri Olldashi dhe kompania që po kryen punimet jo vetëm që nuk kanë marrë mundimin të informojnë publikun për atë që ka ndodhur, por janë përpjekur me të gjitha mënyrat ta fshehin këtë ngjarje të rëndë".

"Dhe shqetësimi ynë bëhet më serioz, - vijon deklarata e Imerajt, - nëse kujtojmë se po e njëjta kompani, që tash e katër vjet po bën një hap para e dy hapa prapa në ndërtimin e kësaj rruge, ka qenë e përfshirë në ndërtimin e tunelit të Bostonit, i cili ka pasur ekzaktësisht po të njëjtat probleme sigurie".

Për PS, shembja e radhës e tunelit ngre një sërë pyetjesh serioze për të cilat ne sot kërkojmë përgjigje.

Më tej, Imeraj ka shtruar disa pyetje: Çfarë po ndodh sot me tunelin e Kalimashit? Si e shpjegon ministria dhe kompania ndërtuese faktin që një tunel që ka kushtuar me qindra miliona euro shembet papritur katër muaj pas inaugurimit të radhës së kryeministrit? Sa do t'u kushtojë kjo shembje më e fundit qytetarëve shqiptarë, të cilët sot janë më të varfër se kurrë? Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë? Si shpjegohet mungesa e plotë e informacionit dhe tisi i misterit që ka mbuluar këtë çështje? Dhe më shqetësuesja, si janë kushtet e sigurisë në këtë tunel nëpër të cilin gjatë verës kanë kaluar me mijëra qytetarë shqiptarë?

Në përfundim të deklaratës së posaçme për autostradën Durrës-Kukës, Imeraj vlerësoi se "në një vend demokratik informimi i qytetarëve mbi ecurinë e një vepre të paguar me paratë e taksave të tyre është një detyrim ligjor, prandaj ne sot, në emër të qytetarëve shqiptarë, kërkojmë përgjigje".

f.sh/NOA

KOMENTE