English

Aktivistët e MJAFT! në Prishtinë, i bëjnë thirrje kosovarëve të mos votojnë

Prishtinë, 8 Nëntor NOA - Këtë fundjavë, në familjet e disa aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s po qëndrojnë 14 aktivistë të Lëvizjes MJAFT! nga Shqipëria.

Ata morën pjesë në të gjitha aktivitetet që Lëvizja VETËVENDOSJE! i organizoi në kuadër të fushatës për bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Një grup aktivistësh nga Prishtina iu bashkuan Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Pejë ku u prezantua Qurani me kravatë si simbol i asaj që është e përbashkëta e kandidatëve që po garojnë.

"Gjersa politikanët na i dramatizojnë dallimet midis tyre, Qurani është e përbashkëta e tyre. Qurani si një trullan që fryhet." - tha aktivisti Zgjim Hyseni.

Mijëra fletushka në të cilat tregoheshin arsyet pse nuk duhet votuar iu shpërndanë pejanëve.

Një tjetër grup aktivistësh shkruan "MOS VOTO" në billboard-at e KQZ-së në Prishtinë, ndërkaq disa të tjerë me sprej e shabllon e shkruan nëpër muret e qytetit dhe të pushtetit parullën:

Unë votoj

Ti voton

Ai/Ajo voton

Ne votojmë

Ju votoni

Ata përfitojnë

Në orën 14:00, në Sheshin ‘Nëna Terezë' në Prishtinë, u prezantuan katër posterë të mëdhenj të ngjitur në një prizëm.

Njëri poster shpjegonte se votimi është votim për Quranin, tjetri se votimi është votim për komunat e reja me shumicë serbe, posteri i tretë në mënyrë figurative tregonte se ky votim lokal në Kosovë është çmontim territorial i Kosovës, kurse posteri i katërt, përmbante një vizatim të madh në të cilin fletëvotimi (i qytetarit) shndërrohej në para (për politikanët) porsa të përfundonte brenda kutisë së votimit.

Pasdite, aktivistët e VETËVENDOSJE!-s dhe MJAFT!-it, nëpër semaforë, në dritën e kuqe që sinjalizon ndaljen, vendosën stickers-at me mbishkrimin "MOS VOTO".

a.b/e.r/NOA

KOMENTE