English

Përmbytet vendi, dhjetëra shtëpi gjenden nën ujë, bllokohen edhe mjaft segmente rrugore

Tiranë, 9 nëntor, NOA - Reshjet e dendura gjatë orëve të natës së sotme kanë përkeqësuar gjendjen në shumë zona të vendit, të cilat kanë pësuar përmbytje të mëdha gjatë fundjavës.

Dhjetëra shtëpi gjenden nën ujë, ndërsa përmbytjet kanë shkaktuar tashmë edhe bllokimin e disa akseve rrugore në veri të vendit.

Sipas informacioneve të përcjella nga korrespondentët e agjencisë së Lajmeve NOA, për shkak të motit të keq vazhdon të jetë e bllokuar rruga Shkodër-Dukagjin në vendin e quajtur Lotaj, pasi në orët e natës një masiv dheu shkaktoi bllokimin e saj.

Ditën e stome bëhet me dijeni se ndërrmarrja e punëve rajonale ka nisur aksionin për zhbllokimin e saj.

Ndërkaq, një aks tjetër rrugor që raportohet si i përmbytur është ai Mamurras-Milot, i cili rezulton si i pakalueshëm për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese.

Sa u përket përmbytjeve të shtëpive dhe zonave të tëra gjatë orëve të natës, raportohet se në Lezhë vazhdojnë të mbeten të përmbytura Barbulloja, ishull Shëngjini, Shëngjini dhe lagjja SMT.

Por nga reshjet e shiut me intensitet gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm, vazhdojnë problemet edhe në Velipojë, Bushat dhe Bërticë, ku në fakt hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë, por janë kanalet kulluese ato që rezultojnë të bllokuara, e si pasojë nuk thithin dot ujin brenda tyre.

Në qytetin e Laçit për shkak të motit të keq shumë banesa janë ende në ujë. Probleme serioze ka në zonën e Fushë Kuqes dhe në fshatin Gjormë, ndërsa raportohet edhe një shkollë e rrezikuar për t'u fundosur nga uji në zonën e Librazhdit.

n.e/NOA

KOMENTE