English

Thaçi: Kosova, ndryshe nga Shqipëria, fituesin e zgjedhjeve e njeh si fitues

Prishtinë, 10 Nëntor NOA - Në Kosovë zhvillohen më 15 nëntor zgjedhjet komunale. Këto janë zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë. Si po e përballon qeveria këtë sfidë të re? Në këtë intervistë me radion Deutsche Welle, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi flet për përfshirjen e pakicave, Raportin e Progresit, marrëdhëniet me Gjermaninë dhe krijimin e mediave të pavarura.

Në intervistë, duke iu kujtuar fakti se në Shqipëri po vazhdon bojkoti parlamentar nga PS që nuk i njeh zgjedhjet, Thaçi thotë se në Kosovë ka pasur gjithmonë traditë që fituesi të jetë fitues dhe të përgëzohet për këtë, por edhe humbësi të pranojë rezultatin zgjedhor.

Më poshtë vijon intervista e plotë:

Më 15 nëntor zhvillohen zgjedhjet komunale. Kjo është sfida e parë zgjedhore për qeverinë e Kosovës, si shtet i ri. Si e vlerësoni ju këtë ngjarje dhe çfarë masash ka marrë qeveria që ti përballojë zgjedhjet me sukses?

Zgjedhjet e 15 nëntorit të këtij viti janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën. Është procesi i parë elektoral në Kosovën e pavarur, demokratike, sovrane dhe shumë etnike. Është procesi i parë i konkurencës së lirë në nivel lokal për spektrin politik. Por ky proces elektoral është më tepër se sa i konkurrencës së projekteve të partive politike. Zgjedhjet e 15 nëntorit kanë vlerën dhe rëndësinë nacionale. Në këtë drejtim dëshiroj të falënderoj gjithë spektrin politik për fushatën e qetë dhe demokratike, për konkurrencën e mirëfilltë demokratike. Kjo po tregon se ne po zhvillojmë demokracinë e re, se po e zhvillojmë një vend shumëetnik, nje vend me përfaqësim shumëpërfshirës në jetën e re demokratike. Pra i besoj plotësisht suksesit më 15 nëntor, suksesit të shtetit të Kosovës.

Sukses që ju pretendoni nuk mund të kuptohet pa pjesëmarrjen e pakicave në këto zgjedhje, veçanërisht të pakicës serbe. Megjithë këmbënguljen e Beogradit për mosdaljen e serbëve në zgjedhje, ekziston një angazhim konkret i tyre për të marrë pjesë. Është kjo aftësi e qeverisë suaj zoti Thaçi, apo e vetë partive politike që përfaqësojnë këto pakica?

Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha komunitetet në Republikën e Kosovës. Edhe me serbët, boshnjakët, ashkalijtë, turqit, e tjerë. Ditë më parë isha edhe në vizitë tek serbët. Jam shumë i inkurajuar me vendosmërinë e komunitetit serb për tu përfaqësuar, për t'u participuar në jetën e re demokratike në Republikën e Kosovës. Është me rëndësi të theksohet se edhe pse janë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur, participimi i serbëve do të jetë më i madhi në historinë e Kosovës. Prandaj ky sukses është një sukses i jashtëzakonshëm i institucioneve të Republikës, është një mrekulli për Kosovën dhe është suksesi që garanton reformat demokratike, që garanton perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, që garanton paqen dhe stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën e gjithanshme të zhvillimit ekonomik.

Ndërkohë vendet fqinjë si Shqipëria dhe Maqedonia patën mjaft probleme në zgjedhjet e tyre të fundit. Në Shqipëri opozita vazhdon të bojkotojë parlamentin. Kurse ju zoti Thaçi jeni shumë optimistë. Ku bazoheni për këtë?

E para nuk dëshiroj të bëj paralele me asnjë vend për procesin elektoral të Kosovës, sepse Kosova ka një traditë të mirë demokratike sa i përket organizimit të zgjedhjeve. Ne jemi shembull dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë. Në Kosovë ka pasur gjithmonë traditë që fituesi të jetë fitues dhe të përgëzohet për këtë, por edhe humbësi të pranojë rezultatin zgjedhor. Në këtë drejtim kam besim të plotë se nuk do të ketë dilema dhe nuk do të lejojmë që të ketë dilema. Pra rastet e krahasimeve të tilla nuk do të tolerohen për shkak të vetëdijes së lartë të spektrit politik kosovar dhe gjithë atij qytetar.

Por krahas sukseseve zoti Thaçi, nuk mungojnë edhe kritikat. Raporti i fundit i Progresit i vuri ato në pah këto ditë në mënyrë shumë konkrete. A pajtoheni ju me kritikat për zhvillimet e brendshme të vendit? Çfarë merrni përsipër si qeveri për të ndryshuar imazhin e Kosovës?

Raporti i Progresit është një raport real. Ne e kemi mirëpritur si qeveri e Kosovës. Është një raport që vlerëson stabilitetin institucional të Kosovës, jetën e re demokratike, stabilitetin politik, respektimin afirmativ të minoritarëve, zotimin tonë për të implementuar dokumentin e presidentit, për të respektuar kushtetutën dhe ligjet që vlerëson fillimin e reformave në ekonomi, në legjislacion dhe në politikë. Në të njëjtën kohë dalin edhe zotime, dalin sfida të reja për institucionet në veçanti. Është për tu falënderuar që sfida e qeverisë së Kosovës përshëndetet dhe përcillet si sfidë. Pra lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, lufta kundër dukurive negative përshëndetet nga komuniteti ndërkombëtar. Pra ne do të punojmë vazhdimisht që të ketë rend dhe ligj, që të ketë një betejë zero tolerancë kundër fenomeneve negative. Me këtë rast dëshiroj të theksoj se pikërisht suksesi që kemi arritur në Kosovë në këto dy vitet e pavarësisë bëri që ne të fitojmë autoritetin, të fitojmë perspektivën europiane për Republikën e Kosovës, të fitojmë të drejtën e dialogut për liberalizimin e vizave, për marrëdhënie ndërkombëtare dhe për procesin e asociim stabilizimit. Kjo është një arritje historike për Kosovën.

Ju ndërkohë i kishit konstatuar këto mangësi edhe më parë? Sepse krijohet përshtypja se vetëm kur ndërkombëtarët i bëjnë ato publike, reagon qeveria. Për korruspionin si një fenomen mjaft i dëmshëm për një shtet foshnjë ka pasur gjithmonë kritika si brenda edhe jashtë Kosovës? Cili është mendimi juaj?

Kosova nuk është vend i izoluar nga bota tjetër demokratike. Këto raporte të progresit nuk bëhen vetëm për Kosovën, bëhen për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, në veçanti për vendet e rajonit tonë. Vërejtjet që janë paraqitur në raport për Kosovën, apo sfidat që janë paraqitur për Kosovën i kanë edhe disa vendet të tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Por lufta e madhe kundër korrupsionit ka bërë që ne të fitojmë perspektivën evropiane. Qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, transparenca, ka bërë që ne të fitojmë këtë perspektivë. Në këtë drejtim ne jemi partnerë me ndërkombëtarët.

Në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, ende pesë vende anëtare nuk ju kanë njohur si shtet, zoti Thaçi. Si do të arrini që edhe këto vende të bëhen pjesë e vendeve të tjera për t'ju njohur si shtet i pavarur, pasi kjo mbase do tju jepte më shumë shanse për tu bërë anëtare e saj?

Ju e dini që Bashkimi Evropian vepron me vendime unike dhe Bashkimi Evropian e përkrah në mënyrë unike Kosovën. Edhe vendet që janë në proces të njohjes: Spanja; Greqia, Sllovakia Rumania dhe Qiproja megjithëse nuk e kanë njohur Kosovën e përkrahin plotësisht Kosovën. Dhe ky është mesazhi më unik i Bashkimit Evropian për Kosovën, për paqen, për stabilitetin në rajon dhe përkrahin perspektivën evropiane. Perspektiva evropiane që u tha nga Komisioni Evropian është një vendim unik i Bashkimit Evropian, pra edhe i vendeve që nuk e kanë njohur.

Po emërimi në Mitrovicë i ambasadorit italian nga BE-ja, çfarë do të thotë zoti Thaçi? Aty ka shumë përfaqësues nga organizma ndërkombëtarë, a nuk mjaftonin ato?

Është vetëm një interesim më i theksuar, më konkret që do të ndikojë në arritjen e rezultateve më të mira në këtë qytet apo rajon, të angazhimit të komunitetit vendor dhe atij ndërkombëtar.

Po nga Gjermania çfarë prisni zoti Thaçi? Si e shihni të ardhmen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Gjermanisë?

Konkretisht pres vazhdimin e marrëdhënieve bilaterale të shkëlqyeshme në të gjitha aspektet. Pres që të kemi një prezencë edhe më të madhe ekonomike të investitorëve gjermane, të cilët janë të mirëpritur dhe nga ne do të kenë mbështetjen e duhur dhe të plotë. Pres investime konkrete në sektorë të veçantë, si në atë të sigurisë që është shumë i rëndësishëm. Falënderoj autoritetet gjermane, shtetin gjerman për mbështetje të jashtëzakonshme që i ka dhënë vazhdimisht Kosovës. Marrëdhëniet tona do të thellohen në të ardhmen edhe më shumë.

Pse ka Kosova një rënie në drejtim të kritereve bashkëkohore për mediat? Raporti i fundit "Reporterë pa kufij" e publikoi ditë më parë këtë fakt. A janë mediat të pavarura dhe a respektohet liria e shtypit? Sa ka ndikim pushteti tek mediat?

Zotimi im ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë mbështetja e plotë dhe e zhvillimit të mediave të pavarura në Republikën e Kosovës. Sepse sa më tepër të kemi media të pavarura do të kultivojmë demokracinë më tepër. Në këtë drejtim nuk do të ketë asnjë dilemë dhe mendoj se çdo ditë e më tepër, çdo vit e më tepër mediat e pavarura në Kosovë po arrijnë kriteret e duhura bashkëkohore Sigurisht që ne e dimë se ka dobësi, por iu takon të gjithëve që ti evitojnë këto mangësi. Kjo u takon në radhë të parë editorëve, pronarëve, organizatave joqeveritare. Natyrisht që këtu bën pjesë edhe spektri politik, qytetar, shtetëror dhe ai ndërkombëtar. Gjithsesi, Kosova ka tendenca pozitive.

KOMENTE