English

Moti i keq, Ministria e Brendshme në gatishmëri: Ja zonat më problematike

Tiranë, 11 nëntor NOA - Ministria e Brendshme ka evidentuar sot situatën e krijuar nga moti i keq në të gjithë vendin ku sipas saj strukturat e emergjencave civile dhe strukturat e Policisë së Shtetit në koordinim me strukturat e pushtetit vendor të të gjitha niveleve janë pranë banorëve dhe po japin ndihmën e nevojshme për çdo rast problematik.

Sipas ministrisë së Brendshme situata më problematike paraqitet në veri të vendit ndërsa janë marrë të gjitha masat për tu ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave.

Shtabet e emergjencës nën drejtimin e prefektëve në çdo qark të vendit po evidentojnë dëmet e shkaktuara nga reshjet dhe janë në kontroll të plotë të situatës duke informuar dhe koordinuar në mënyrë të vazhdueshme me Ministrinë e Brendshme.

Ja cila është situata e krijuar sipas ministrisë së Brendshme pas reshjeve në qarqet ku janë evidentuar probleme:

Qarku Shkodër: Situatë problematike në Shkodër mbetet aksi rrugor që lidh Shkodrën me Dukagjinin, në vendin e quajtur Lotaj, si rezultat i shembjes së dheut në një gjatësi 80 metra. Situata e krijuar për shkak të ujërave në tokën bujqësore në këtë qark është në përmirësim të vazhdueshëm. Hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë.

Qarku Lezhë" Si rezultat i reshjeve në një sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore, kemi prezencë uji, veçanërisht në fshatin Barbullojë, Komuna Kolsh.

Të shtatë hidrovorët në këtë qark punojnë pa ndërprerje. Shtabi i Emergjencave Civile po e ndjek situatën me përparësi. Qarkullimi rrugor në rrugët nacionale nuk ka asnjë problem.

Qarku Durrës: Situata në qarkun e Durrësit, ka ardhur drejt përmirësimit.

Gjatë gjithë ditës makinat zjarrfikëse kanë punuar në zonën e plazhit për largimin e ujit nga banesat. Shtabi i Emergjencave Civile është në ndjekje të problemeve.

Qarku Vlorë: Situata paraqitet pa probleme. Shtabi i Emergjencave Civile po ndjek dhe monitoron situatën e lumit Vjosa, për nivelin e ujit.

Qarku Korçë: Nga reshjet e këtyre ditëve edhe në qarkun e Korçës, janë paraqitur disa probleme, kryesisht dalje të ujërave në segmente të ndryshme të rrugëve, por ato janë eliminuar me shpejtësi. Për momentin është problem ngritja e nivelit të ujit në lumin Devoll.

Për mbajtjen nën kontroll të situatës, grupi i punës ka mbyllur portat në portbarazhin e Sovjanit, për të mos lejuar futjen e ujit nga lumi Devoll në Kolektorin e Sovjanit.

Qarku i Fierit: Rritja e lartë e nivelit të lumit Vjosa ka influencuar në rritjen e nivelit të ujit në të gjithë rrjetin e kanalizimeve, duke shkaktuar përmbytje në toka bujqësore dhe duke krijuar rrezik në disa fshatra edhe për përmbytje të disa banesave të veçuara.

Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe gjatë natës u evidentuan dalje të lumit në tokë bujqësore në Kutë, Tojkan dhe Hambar të Komunës Cakran, Kashishtë dhe Çerven të Komunës Frakull dhe Ferras e Poro të Komunës Levan.

Në Çerven, Kashisht dhe Poro u evidentuan edhe përmbytje të disa oborreve të shtëpive. Për të shmangur çdo rrezik të mundshëm u bë evakuimi i tre familjeve në Çerven nga forcat policore dhe FNSH.

k.k/NOA

KOMENTE