Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Muri dhe Fundi i Historisë plot revolucione
English

Muri dhe Fundi i Historisë plot revolucione

Revolucionet tradicionale kanë nxitur kundërrevolucionet, valën e re të revoltave dhe të represionit. Ky qark u thye në vitin 1989. Po, konfliktet po vazhdojnë në Evropë, por jo konflikte të tilla që t'ia vejnë zjarrin historisë. Sot përplasjet kanë të bëjnë me tatimet, shpenzimet dhe kohën e mbylljes së dyqaneve

Nga Josef Joffe*

Para dy dekadave, disa muaj para shembjes së Murit të Berlinit, profesori amerikan i shkencave politike, Francis Fukuyama, parashikoi "jo vetëm fundin e Luftës së Ftohtë,

por edhe fundin e historisë si të tillë: më saktësisht, fundin e evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizimin e demokracisë liberale perëndimore si formë përfundimtare të qeverisjes njerëzore". Natyrisht, ai e kishte gabim, njëjtë sikurse e kishin gabim edhe të gjithë profetët tjerë që predikonin "fundin e..." në të kaluarën. Demokracia liberale vështirë se mund t'i inspirojë forcat aktuale të khomeinizmit në Iran, xhihadin global, diktatorët në Amerikën Latine apo neo-caristët në Rusi. Por, si qëndron puna me Evropën? Shembja e Murit në Berlin, më 9 nëntor të vitit 1989, nxiti - ose thënë më mirë, e përfundoi - transformimin e jashtëzakonshëm të kontinentit të vjetër. Gjatë dy mijë viteve të kaluara, Evropa ka qenë burim i gjërave më të mira dhe më të këqija në historinë e njerëzimit.

Ajo ka shpikur pothuajse çdo gjë që është me rëndësi: duke filluar nga filozofia greke deri te e drejta romake, nga Renesanca deri te telefaksi, nga Brunelleschi deri te Bauhaus.

Por, Evropa gjithashtu ka qenë kontinenti në të cilin kanë shpërthyer luftërat më të përgjakshme në botë, si pasojë e të cilave janë vrarë dhjetëra miliona njerëz. Evropa ishte vendi në të cilin dolën në sipërfaqe ideologjitë vrastare: komunizmi, fashizmi dhe nazizmi, të cilat u shoqëruan nga Gullagu, Gestapoja dhe Aushvici. Ajo histori vërtet përfundoi së bashku me Murin e Berlinit. Nuk janë më miliona ushtarët të cilët dikur kanë ruajtur vijën që shtrihej nga Baltiku deri në Detin e Zi, si dhe janë zhdukur edhe mijëra armë bërthamore.

Francezët dhe gjermanët më nuk luftojnë për Alsace-Lorraine dhe është e pamundur të paramendohet një ndarje tjetër e Polonisë, apo vrasjet masive në emër të Zotit, apo vala e refugjatëve e cila do ta vërshonte Evropën, siç ka ndodhur në fillim të shekullit të 20-të.

Po, kemi parë së fundi spastrime etnike në Ballkan, por ato nuk ishin asgjë në krahasim me tmerrin e ushtruar nga Hitleri dhe Stalini. Ndërkohë, Evropa e "pas Murit" ka marrë domethënien e paqes, demokracisë sociale dhe Komisionit Evropian, gjë e cila ka bërë që parashikimi i Karl Marxit më në fund të realizohet: pas luftës përfundimtare të klasave, "pushteti ndaj njerëzve" do të rezultonte me "administrimin e gjërave".

Kësisoj, rregullimi e ka zëvendësuar revolucionin. Marxi e kishte gabuar kohën. Do të duhej të kalonin 140 vjet nga Manifesti Komunist deri te shembja e Murit. Megjithatë, pritja ia ka vlejtur. Muri u shemb pa gjakderdhje; Bashkimi Sovjetik ishte perandoria e parë, e cila vdiq në shtrat, me pothuajse asnjë plumb të shkrepur. Revolucionet e kadifenjta, të cilat sërish e bashkuan Evropën, vërtet i dhanë fund historisë Evropiane siç e kemi njohur. Revolucionet tradicionale kanë nxitur kundërrevolucionet, valën e re të revoltave dhe të represionit. Ky qark u thye në vitin 1989. Po, konfliktet po vazhdojnë në Evropë, por jo konflikte të tilla që t'ia vejnë zjarrin historisë.

Sot përplasjet kanë të bëjnë me tatimet dhe shpenzimet, kohën e mbylljes së dyqaneve, kompetencat e Brukselit dhe të drejtat e rezervuara për kryeqytetet kombëtare, për abortin dhe martesat mes homoseksualëve. Politika nuk është shfuqizuar, por çështjet delikate janë drejtuar në gjykatat e sigurta, larg prej rrugëve dhe parlamenteve. Shembja e murit nuk krijoi një Botë të Re të Mirë; ajo e përshpejtoi dhe e ratifikoi atë. Si një revolucion pa gjakderdhje (përveç vrasjes së diktatorit rumun Nicolae Ceausescu, dhe disa të tjerëve që vuajtën burg), 9 nëntori i vitit 1989 meriton nga një monument të spikatur në të gjitha kryeqytetet e Evropës, si shenjë e diçkaje krejtësisht të re nën diellin evropian.

Për dallim nga revolucioni në vitin 1789, premtimi për paqe dhe liri u realizua. Për dallim nga viti 1919, kur kontinenti u vërshua nga revolucionet të cilat nxitën kundërrevolucione, viti 1989 i dha fund kaptinës më të errët të historisë së Evropës.

(*) "Newsweek"Â

KOMENTE