English

Parlamenti Evropian vendos sot për heqjen e vizave për 3 vende të Ballkanit Perëndimor

Bruksel, 11 nëntor, NOA - Parlamenti Evropian në seancën e tij të sotme pritet që të marrë në shqyrtim dhe të miratojë propozimin për heqjen e regjimit të vizave për tre vende të Ballkanit Perëndimor, Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi.

Organi më i lartë ligjvënës i BE-së, do të miratojë në këtë mënyrë raportin e propozuar nga europarlamentarja Tanja Fajon, ku parashikohet që propozimit në fjalë t'i bashkëngjitet dhe ai për Slloveninë.

Ndërkaq, ky përbën një lajm të mirë për Shqipërinë, pasi gjithsesi, tashmë mbetet radha e saj dhe e Bosnjë-Hercegovinës për t'u marrë në konsideratë nga Bashkimi Evropian për heqjen e regjimit të vizave, megjithëse qytetarët e këtyre vendeve do të donin që kjo të miratohej që në seancën e sotme, bashke me tre vendet e tjera ballkanike të lartpërmendura, por ja që një gjë e tillë nuk ndodhi.

Fajon nga ana e saj paraqitet e sigurtë që Parlamenti Evropian do ta miratojë raportin e saj.

"Mendoj se është shumë reale të pritet që qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi të mund të udhëtojnë lirshëm në BE që prej 19 dhjetorit, gjatë Krishtilindjeve dhe festave të Vitit të Ri. Kjo do të ishte risi e madhe për njerëzit në rajon. Shpresoj se së shpejti, sapo t'i plotësojnë kriteret, do t'u bashkangjiten edhe qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës dhe të Shqipërisë. Parlamenti Evropian e mbështet fuqimisht liberalizimin e vizave të vendeve të Ballkanit perëndimor", thekson Fajon.

Nëse Parlamenti Evropian e miraton që sot këtë masë, atëherë qytetarët e tre vendeve ballkanike nisin nga aplikimi i kësaj mase në 19 dhjetor 2009.

n.e/NOA

KOMENTE