English

Qeverisja në Shqipëri, dallimet mes të majtës e të djathtës

Ne jemi të qartë, se roli i Partisë Socialiste është i madh, si një faktor vendimtar në përgatitjen dhe konsolidimin e terrenit për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian

Nga Arta Dade*

Sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste

Integrimi europian është sfida më e rëndësishme për Shqipërinë që nga rënia e sistemit komunist.

Ky proces përbën ende për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, aspiratën më të qëndrueshme, më afatgjatë dhe më të palëvizshme.

Anëtarësimi në NATO dhe hapja e një perspektive për avancimin e statusit tonë në BE, janë premisat për përmbushjen e objektivit strategjik kryesor të vendit tonë.

Ne jemi të qartë, se roli i Partisë Socialiste është i madh, si një faktor vendimtar në përgatitjen dhe konsolidimin e terrenit për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian.

Në tetë vjetët e qeverisjes së saj, PSSH ka sjellë normalizimin gradual të situatës në vend, si dhe ka hedhur hapa të sigurt drejt një dialogu të qëndrueshëm e konstruktiv me partnerët europianë dhe euro-atlantikë.

Integrimi i vendit në NATO, në prill 2008, është shembulli konkret i këtij vullneti të palëvizshëm të opozitës së majtë.

Por integrimi në NATO nuk duhet keqpërdorur politikisht. Me të nuk duhet abuzuar, ashtu siç ndodhi në zgjedhjet e fundit, ku një vend anëtar i Aleancës Atlantike rrëshqiti tërësisht nga standardet e organizatës në lidhje me zgjedhjet.

***

Partia Socialiste i ka kontestuar hapur shkeljet e rënda dhe manipulimet masive që u vunë re në votimet e 28 qershorit.

Ne kemi marrë vendimin për ta kushtëzuar hyrjen tonë në Kuvendin e Shqipërisë, me hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave në të gjitha ato pjesë të vendit ku ka kontestime dhe prova për dhunë, parregullsi dhe manipulime.

Më 28 qershor PD dhe Kryeministri Berisha abuzuan me votat e shqiptarëve dhe me besimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Rezultati i zgjedhjeve, ku askush nuk fitoi maxhorancën, doli pas një procesi ku opozita u përball me dhunën e shtetit, me intimidimin e votuesve, me përdorimin e hapur dhe banal të fondeve publike në interesin elektoral të njërës palë dhe me përdorimin ekstrem të administratës shtetërore dhe kapaciteteve të saj në funksion të fitores së Partisë Demokratike. Siç e ka nënvizuar raporti final i OSBE/ODIHR, votat e shqiptareve u numëruan në një të tretën e tyre keq ose shumë keq. Nuk ka ligj që e ndalon investigimin e zgjedhjeve.

***

Qeveria aktuale ka një rekord absolut të prezencës në radhët e saj të ministrave të hetuar nga drejtësia për skandale publike, të cilat kanë kushtuar dhjetëra jetë njerëzish dhe disa qindra milionë euro të shpërdoruara.

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, aktualisht Ministër i Brendshëm, ndodhet në hetim për një abuzim prej rreth 230 milionë euro gjatë kohës që ishte Ministër i Transporteve dhe Punëve Publike.

Ish-Ministri i Mbrojtjes, aktualisht Ministër i Mjedisit, është i hetuari kryesor i tragjedisë së Gërdecit, të marsit 2008, ku pas një shpërthimi në një depo zbërthimi municionesh, vdiqën 26 njerëz të pafajshëm.

Korrupsioni galopant, klientelizmi i skajshëm që kanalizon shuma të mëdha parash tek bizneset politike dhe familjare, shkeljet ligjore dhe abuzimet financiare të shumave të mëdha nga ana e zyrtarëve të lartë të shtetit, janë sot simptomat e një qeverisjeje që ka tejkaluar kuadrin ligjor dhe ka instaluar në vend një sistem interesash mafioze.

***

Qeveria ka vijuar të shkelë liritë themelore të shtetasve. Dhunimi i mediave, ish-pronarëve dhe të përndjekurve politikë, si dhe margjinalizimi i shtresave më të varfra, janë shfaqja e jashtme e një qeverisjeje që tenton të imponohet, në vend që të pranohet. Pak ditë më parë, njëri prej biznesmenëve më të afërt të Kryeministrit Berisha dhunoi fizikisht në një mjedis publik njërin prej gazetarëve më të njohur në vend, për shkak të një numri artikujsh ku demaskoheshin aferat e dyshimta të këtij biznesmeni më të afërmit e Kryeministrit.

Aktualisht, qeveria ndodhet në konflikt me të gjithë faktorët relevante të shoqërisë shqiptare, Presidenti, Prokuroria, presioni mbi drejtësinë, mediat, pronat.

Me këtë mandat moral të cunguar, qeveria Berisha jo vetëm po dëmton seriozisht imazhin ndërkombëtar të vendit, por po komprometon edhe perspektivën europiane të Shqipërisë. Mbledhja e fundit e Këshillit Europian para dhjetë ditësh, është një pasqyrë e qartë e dilemave e ndarjeve të thella që konsiderojnë brenda vendeve anëtare lidhur me dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë e kjo i detyrohet jo vetëm zgjedhjeve të manipuluara të 28 qershorit, por edhe rekordeve të rënda negative që shumica që drejton vendin ka akumuluar gjatë mandatit të parë qeverisës.

***

Edhe procesi i integrimit europian në elementët e tij konkrete, përfshihet për fat të keq në këtë hulli zhvillimesh politike e sociale të dominuara nga mungesa e stabilitetit dhe e standardit demokratik.

Për shkak të kësaj mungese vizioni dhe vullneti politik të qeverisë, në vendin tonë vazhdojnë të mungojnë strukturat e posaçme për procesin e përafrimit të legjislacionit me acquis communautaire.

Kësaj situate i shtohet një politizim i skajshëm i administratës publike, në shkelje të hapur të ligjeve organike që rregullojnë rekrutimin dhe lëvizjen e nëpunësve civilë.

Qysh në raportin e shkuar të progresit të BE për Shqipërinë vihej re se "Mungesa e mekanizmave të shëndetshëm të përgjegjshmërisë në administratën publike shton rastet për anashkalimin e procedurave të vendosura. Emërimet vazhdojnë të kryhen përmes linjave partiake në kundërshtim me Ligjin e Shërbimit Civil."

Sidomos i dukshëm është bërë ky fenomen gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kur maxhoranca e Kryeministrit Berisha ka ndërmarrë spastrime politike masive në radhët e administratës publike.

Partia Socialiste ka protestuar me forcë ndaj këtij procesi negativ dhe të dëmshëm për cilësinë e administratës tonë shtetërore.

(*) Fjala e mbajtur në Bruksel më 10 nëntor 2009, te Konferenca e nivelit të lartë mbi perspektivat për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes Bashkimit Europian dhe Ballkani Perëndimor, gjatë panelit të diskutimit me temë: Mbajtja e Ballkanit Perëndimor në rrugën e reformave: Kush po sfidon kë"

KOMENTE