English

Berisha viziton Panairin Ndërkombëtar të Librit

Tiranë, 14 nëntor NOA - Kryeministri, Sali Berisha vizitoi sot Panairin Ndërkombëtar të Librit, të mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

I shoqëruar edhe nga Ministri i Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Turizmit, Ferdinand Xhaferri, kryeministri Berisha u ndal në stendat e shumë shtëpive botuese, duke i përgëzuar për punën e tyre, si dhe duke blerë një numër të madh librash.

"Është një rast i veçantë për t'u përcjellë botuesve, shkrimtarëve përkthyesve dhe të gjithë punonjësve të botës së librit, urimet më të përzemërta për këtë sukses të madh. Bota e librit është universi tjetër i madh i realitetit, i ideve transformuese, i vizioneve pararendëse të së ardhmes. Letrat shqipe, vijnë në këtë eveniment të madh, do të thoja me një krenari të madhe, sepse këtë vit, letrat shqipe, me përfaqësuesin e tyre më të shquar, Ismail Kadarenë, morën nderimin më të madh në historinë e tyre" Â tha në fjalën e tij përshëndetëse në panair, para gazetarëve, kryeministri Berisha.

Pyetjes së gazetarëve në lidhje me zhvillimet politike në vend, Kryeministri Berisha iu përgjigj "s'më nxjerr dot gjë mua nga universi i librit sot. E fillova me librin dhe të garantoj se do të vazhdoj gjer në mesnatë me libra. Është ditë libri për mua sot dhe e thashë edhe një herë, letërsia është një univers shumë i veçantë, ndaj t'ia lëmë librit këtë ditë.

Ndërkohë, që i pyetur në lidhje me librat e tij të preferuar, Kryeministri Berisha u shpreh.

"mund të them që jam i papërmbajtur në dëshirat e mia për leximin e librave".

k.k/NOA

KOMENTE