English

Nostalgjia paralizuese e shansit të humbur

Zhvillimi nuk është një moment, një akt, një datë, apo një shans që duhet kapur, por një proces që riprodhohet çdo ditë. Për pasojë zhvillimi ynë ekonomik, social apo kulturor nuk mund të jetë veçse një proces që buron nga brenda, për sa kohë nuk presim që dikush të vijë dhe të na kolonizojë

Nga Blendi Kajsiu Me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, edhe një herë në shtypin shqiptar u shfaqën një sërë artikujsh dhe intervistash që na kujtonin shansin e humbur të Shqipërisë me Gjermaninë Perëndimore (RFGJ) më shumë se 20 vite më parë. Sipas disave, nëse Shqipëria do kish luajtur mirë mund të kishte marrë nja 2 miliardë euro ndihmë prej Gjermanisë. Sipas të tjerëve, nëse klasa jonë politike do ishte treguar më largpamëse ne mund të ishim bërë tashmë pjesë e Europës Perëndimore si një vend model për Europën Lindore. Pati edhe nga ata që argumentuan se, në fakt shansi nuk ishte aspak i tillë, sepse gjermanët nuk kishin ndonjë interes të ndihmonin lidershipin e një vendi stalinist. Pavarësisht të vërtetës së "shansit tonë të humbur", ajo që të bën përshtypje është fantazia mbi të cilën ngrihet diskutimi mbi këtë shans. Është një fantazi sipas së cilës zhvillimi i Shqipërisë buron nga jashtë saj. Nga ndonjë konjukturë globale; nevoja e Perëndimit për të krijuar një model suksesi në lindje, interesat gjeostrategjike të ndonjë fuqie të madhe, që për pasojë na hedh ndonjë shuk me lekë ose na merr në patronazh dhe na bën njerëz. Në të gjitha këto raste fati neve na vjen nga jashtë. Ajo që i duhet të bëjë Shqipërisë është thjesht një klasë e zhdërvjellët politike, që është e aftë ta kapë shansin kur krijohet, pak a shumë si një lojtar pokeri. Zhvillimi në këtë fantazi nuk shihet si një proces afatgjatë që buron nga një strategji e caktuar e zhvillimit të ekonomisë sonë kombëtare, por si një akt, një fat, një investim i madh nga jashtë, një tufë me lekë që një herë e mirë na nxjerr nga mizerja. Kemi të bëjmë me strukturën e fantazisë së lotarisë. Nëpërmjet lotarisë dikush rregullohet për fare ose nëpërmjet një shume të madhe parash, ose duke fituar mundësinë për të emigruar në Amerikë, ku siç e dimë të gjithë vuajtja njerëzore pushon një herë e mirë. Problemi i një fantazie të tillë është dimensioni i saj paralizues. Në të Shqipëria dhe shqiptarët janë aktorë dhe faktorë pasivë, të cilëve u bie një fat i mirë nga jashtë. Roli kryesor i tyre reduktohet te krijimi i konditave për tërheqjen e fatit. Ashtu sikurse një femër zbukurohet për të "kapur" një burrë të mirë. Ne ende shpresojmë se zhvillimi i Shqipërisë në thelb do burojë nga ndonjë investim i madh që do vijë nga jashtë, apo nga anëtarësimi ynë në BE. E gjithë përpjekja jonë është të përgatisim terrenin për të tërhequr fatin e madh që ekziston diku në Europë apo Amerikë. Për këtë qëllim ne përpiqemi të ndërtojmë institucione të forta, një infrastrukturë të mirë dhe të rregullojmë imazhin tonë në botë, në mënyrë që të vijnë investitorët e huaj që do na nxjerrin në selamet. Që ndihma nga jashtë dhe konjukturat ndërkombëtare mund të jenë të rëndësishme për zhvillimin e një vendi, sidomos të vogël si Shqipëria, nuk diskutohet. Por që të mendosh se zhvillimi do na vijë qyl nga jashtë, do të thotë që pas njëzet vitesh ne do vazhdojmë të vajtojmë shanset që humbasim çdo ditë sot. Asnjë vend nuk është zhvilluar thjesht nga ndihma që i ka ardhur nga jashtë. SHBA-të kanë ndihmuar si Filipinet ashtu edhe Korenë e Jugut, por vetëm kjo e fundit është sot vend i zhvilluar si pasojë e modelit të saj të brendshëm të zhvillimit, që diti ta fusë në punë këtë ndihmë. Zhvillimi nuk është një moment, një akt, një datë, apo një shans që duhet kapur, por një proces që riprodhohet çdo ditë. Për pasojë zhvillimi ynë ekonomik, social apo kulturor nuk mund të jetë veçse një proces që buron nga brenda, për sa kohë nuk presim që dikush të vijë dhe të na kolonizojë. Sa më shpejt të bindemi që zhvillimi ynë buron së pari brenda nesh, aq më shpejt do jemi të aftë që të kapim edhe shanset dhe ndihmat që na ofrohen nga jashtë. Tashmë që u bënë 20 vite nga rënia e Murit të Berlinit, analiza jonë themelore duhet të jetë në raport me dinamikat e brendshme më shumë se ato të jashtme. Na duhet pra të bëjmë një vlerësim të zhvillimit të Shqipërisë në këto njëzet vjet nga brenda dhe jo nga jashtë. Pyetja themelore që duhet shtruar sot nuk është se çfarë duhet të kish bërë Ramiz Alia njëzet vjet më parë që ne të ishim më mirë njëzet vjet më pas. Pyetja themelore që duhet shtruar është se çfarë duhet të bëjmë ne sot, në mënyrë që të mos vajtojmë shanset tona të humbura pas njëzet vjetësh. Për këtë duhet që mbi të gjitha të fokusohemi tek potenciali ynë i brendshëm zhvillimor. Sot si kurrë më parë Shqipëria ka miliarda euro kapital të brendshëm në bankat e saj, eksperiencë me ekonominë e tregut, më shumë burime njerëzore e njerëz të shkolluar në perëndim, një infrastrukturë më të mirë se kurrë më parë dhe me një Kosovë të pavarur edhe tregje më të mëdha. E megjithatë sot ne prapë vazhdojmë të mbetemi vendi më i varfër në Ballkan. Që me gjithë këtë potencial nesër mos të zgjohemi përsëri si vendi më i varfër i rajonit, duhet që sot të vëmë në punë potencialin tonë të brendshëm ekonomik. Për këtë hapi i parë është të pushojmë së fantazuari se do na zhvillojë BE-ja, Amerika apo Gjermania. Askush nuk ndihmon dot atë që nuk ndihmon veten.

(*) Marrë nga "Express"

KOMENTE