Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Panairi i Librit 2009, radhë të gjata për një autograf nga Ismail Kadare
English

Panairi i Librit 2009, radhë të gjata për një autograf nga Ismail Kadare

Nga Milena Selimi

Tiranë, 15 Nëntor NOA-"Të penguar" nga regjimi i diktaturës për të respektuar dhe adhuruar shkrimtarin dhe artistin, (do të quhej herezi ngritja në kult e figurës së tij) ishim mësuar që të mbanim radhë vetëm për tollonat e mishit, bulmetit, të vajgurit dhe të mollëve për Vitin e Ri.

Ndoshta prandaj merrte vlerë sot ajo radhë e gjatë njerëzish të lirë, në pritje të një autografi nga shkrimtari Ismail Kadare.

"Një radhë e bukur, një nderim për shkrimtarin dhe veprën e tij"-do ta quante shkrimtari Visar Zhiti, i rreshtuar edhe ai si të tjerët për një urim dhe shtrëngim duarsh me fituesin e Çmimit të Asturias, Ismail Kadarenë.

"Më duket se edhe ti diçka ke botuar, kam dëgjuar edhe për romanin tënd këto ditë"- iu përgjigj Kadare shkrimtarit Visar Zhiti, i cili vetëm një ditë më parë promovoi romanin e tij më të fundit, botuar nga Omsca-1, "Në kohën e britmës".

Në pritje të një autografi nga shkrimtari mund të dalloheshin edhe të tjerë emra të artit dhe kulturës si Uran Butka, aktori Mirush Kabashi, dirigjenti Edmond Doko, etj.

Në stendën e shtëpisë botuese "Onufri" shkrimtari më i madh i letrave shqipe së bashku me botuesin Bujar Hudhri, ka nënshkruar autografë përreth një orë me lexues, dashamirës dhe fansa të veprës së tij, duke dëgjuar urimet dhe falenderimet e tyre, duke ndjekur nga afër emocionet dhe duke i përjetësuar ato në një fotografi, që për fansat e tij merrte një vlerë të veçantë.

Nuk kanë rreshtur admiruesit e veprës së tij, një radhë e gjatë, ku mund të dalloje grupime nga më të ndryshmet, të rinj e të reja, moshën e tretë dhe madje familjarë, me femijë të vegjël përdore.

Duket se një kulturë e re e leximit dhe vlerësimit ka zënë vend në psikologjinë e sotme shqiptare, të njerëzve që e duan librin, respektojnë shkrimtarin dhe e duan këtë kontakt të drejtpërdrejtë me të, që mundësohet, të paktën në promovime dhe panaire të librit.

Në Panairin e 12-të të librit, shkrimtari Ismail Kadare prezantohet me romanin e tij më të fundit "E penguara", requiem për Linda. B, i cili duket se po blihet shpejt nga lexuesi.

Për herë të parë në këtë panair promovohet edhe vepra e plotë e shkrimtarit, 20 vëllime, ku përmblidhen romanet, novelat dhe poezitë e Ismail Kadarese.

Shkrimtari Ismail Kadare është një nga autorët e rregullt që qëndron në stendën e shtëpisë botuese "Onufri", për të nënshkruar autografë në panairin e librit, të pakten që nga viti 2006.

m.i/NOA

KOMENTE