Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kush është shqiptari që sfidoi policinë dhe u kthye në njeriun më të kërkuar të Greqisë
English

Kush është shqiptari që sfidoi policinë dhe u kthye në njeriun më të kërkuar të Greqisë

Raport ekskluziv nga bashkëpunëtori i NOA në Athinë, ilustruar me fotot e operacionit, të dyshuarit pas arrestimit dhe fotot e tij në vite

Athinë, 16 Nëntor NOA - Deri më 4 qershor të vitit 2006, pakkush dinte se ekzistonte një djalë, atëherë 32 vjeçar, nga Fieri, i cili ishte në të shumtët e shqiptarëve që jetonin prej disa vitesh në qelitë e burgjeve greke.

Por atë ditë ai nisi të shndërrohet në një nga personazhet më të famshme të medias dhe opinionit fillimisht në Greqi, më tej në Shqipëri, duke u zgjeruar rrezja e "audiencës" së tij në të gjithë Evropën e më gjerë aq sa policia greke i vuri nofkën "Makina e Vdekjes".

Alket Rizaj, i biri i Ramizit dhe Donikës, lindur në vitin 1974 në Fier dhe banues prej disa vitesh në Greqi, ishte arrestuar në vitin 2003, për herë të parë, pas akuzave për vrasje.

ARRESTIMI

Policia e Athinës, e asistuar edhe nga homologë të saj ndërkombëtarë, por e ndihmuar me informacion të bollshëm edhe nga Policia Shqiptare e Shtetit, organizoi një operacion të posaçëm që nisi në orët e para të ditës së hënë ku dhe u aktivizuan disa qindra forca policore dhe logjistikë e paparë në shumë operacione të tjera.

Të dhënat mbërritën përmes identifikimit të të dashurës së Rizajt, një 33 vjeçare greke, Shula, nga lagjja "Peristeri" e Athinës që kishte ndihmuar dy herë Alketin në arrati nga burgjet me helikopter.

Të resë greke iu përgjuan telefonat dhe u arrit të zbardheshin lidhjet mes të dyve.

Nga ana tjetër, Rizaj që deri vonë kishte mbajtur flokët të lyera biond, tani shfaqej me flokë në gjyrë të zezë, në përpjekje për të mos u identifikuar nga policia. Për më tepër, Alket Rizaj dhe e dashura e tij greke, lëviznin me "Benz Mercedes" të blinduar.

Këtë radhë duket se policia kishte vënë mend dhe ndonëse kishte disa ditë që kishte mësuar vendndodhjen e Rizajt dhe të dashurës së tij, po priste çastin e duhur që ta kapte duke mos i lënë shteg arratie të tretë.

Ajo nuk mund të mos kishte parasysh faktin se Alket Rizaj në bashkëpunim me grekun më të kërkuar Nikos Paleokostas, i cilësuar si bosi i krimit në Greqi, ishin arratisur dy herë nga burgu më i sigurt i vendit fqinjë, Koridhalos.

E para kishte ndodhur me mjet privat fluturimi të marrë me dhunë nga persona që in ndihmonin nga jashtë më 4 qershor 2006 dhe e dyta sërish me të njëjtën skemë, më 23 shkurt të vitit në vazhdim.

Arratia e dytë erdhi pasi Rizaj dhe shoku i tij grek Paleokostas, ishin strehuar sërish në burgun e sigurisë së lartë (të paktën nga emërtesa shtetërore si i tillë), të Koridhalosit, pak ditë pasi më 10 janar ishte arrestuar dhe ndodhej në burgun e Korfuzit.

Arrati kryer në mënyrë spektakolare duke përdorur veç makinash e motorësh dhe helikopterë dhe avionë privatë.

Për më tepër, vetëm pak ditë më parë, Alket Rizaj, i dyshuar se është përfshirë në vrasje të organizuara nga Paleokostas, i kishte shpëtuar një tjetër aksioni policor duke marrë arratinë.

Ai gjendej në zonën e Voitias në periferi të Athinës dhe kur forcat policore u afruan ta arrestojnë ai sërish i shpëtoi.

Kurse më herët, më 14 prill të këtij viti, një tjetër arrati ndodhi pasi policia sërish kishte dështuar ta kapte, në zonën e Aleoporios.

Ndaj në operacionin e sotëm nuk munguan as mjetet fluturuese që vëzhgonin nga lart procedimin e operacionit në terren ku më shumë se uniformat blu, ishin dyndur agjentët e maskuar si civilë.

Në orën 07.10 të mëngjesit të së hënës, gjithçka ishte gati për të shtënë në dorë shqiptarin që u shndërrua në personin më të kërkuar të Greqisë.

Pasi u konfirmuan të dhënat e fituara në rrugë operative, policia u përqendrua në lokalitetin Ano Suli në Gramatiko, zonë periferike në Marathona, pranë Athinës.

Alketi gjendej me të dashurën e tij Shula, një vajzë greke nga lagjja "Peristeri" e Athinës e cila ishte pikërisht femra që arriti të shtjerë në dorë dy herë me radhë helikopterët për të realizuar arratinë e Alketit dhe Nikos, si dhe një çift tjetër.

Ata ndodheshin në një banesë në këtë zonë pak të banuar afër Athinës, strehë që më shumë se njerëz, kishte armë pasi një arsenal i tërë u sekuestrua në mbyllje të aksionit policor.

Shtëpia ishte marrë me qera mujore 600 euro, javën e kaluar nga Shula që ishte prezantuar te qeradhënësit që jetojnë në Kifisia të Athinës, me emrin Kristina Petridhi, pronare e një butiku në Athinë dhe Alket Rizajn, si kushëririn e saj të mbërritur nga Gjermania.

Zëvëndësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Joanis Rahovica i cili udhëhoqi operacionin, tha se forcat e tij sekuestruan në banesën ku jetonte Alket Rizaj me të dashurën e tij Shula, një automatik tip "Kallashnikov", një automatik "Scorpion", dy pushkë, disa pistoleta si dhe pesë bomba dore, pa llogaritur edhe një lumë fishekësh.

Ndërsa duke folur për minutat e arrestimit, tregoi se fillimisht, pasi banesa ishte e mbytur nga të katër anët me policë dhe agjentë, i bënë thirrje me megafon Alket Rizajt që të dorëzohet.

Në banesë ndodheshin tre qen race të cilët Rizaj i kishte vendosur në anë të ndryshme për të sinjalizuar çdo person që mund të afrohej.

Kjo ishte konstatuar nga policia e cila kur është afruar, më parë ka neutralizuar qentë duke i vënë në gjumë.

"Në momentin që ne i bëmë thirrje që të pranojë prangosjen pa rezistencë, Alket Rizaj u përgjigj se nuk kishte ndërmend të dorëzohej madje tha se kishte plot bomba dore që të na hidhte në erë", ka treguar z.Rahovica i cili ishte njohur nga Alket Rizaj pasi e kishte arrestuar edhe janarin e kaluar të shumëkërkuarin.

Pak minuta më vonë, një negociator i policisë është afruar në portën e banesës dhe ka komunikuar me Rizajn nga ana e brendshme e shtëpisë, duke i bërë të qartë se duhet të dorëzohej pa gjakderdhje pasi çdo përpjekje arratie nuk do t'i kishte sukses.

Kjo duket se e ka bindur të riun shqiptar se pak më vonë ai ka hapur derën dhe me duart lart, ka thirrur policët të afrohen dhe pasi ka hedhur jashtë të gjitha armët e municionet sikundër iu kërkua, ka pranuar t'i vënë prangat.

Pas tij, janë arrestuar edhe e dashura Shula si dhe u shoqërua çifti shqiptar që gjendej në banesë gjatë minutave operacionale.

Djali dhe vajza shqiptare, emrat e të cilëve policia nuk i publikoi. Roli i tyre ishte të bënin blerje në dyqane për nevojat e banesës së Rizajt dhe të dashurës së tij Shula që nuk dilnin gjatë ditës duke iu ruajtur policisë.

Në banesën që jun shihni dhe në foton e pasarrestimit, u gjëtn dhe sekuestruan akoma edhe dy makina. Ato ishin njëra "Benz Mercedes" i blinduar që ishte vjedhur para disa ditësh pranë një banke në Athinë dhe tjetra, sërish e vjedhur, një "Smart" i cili ishte grabitur në lagjen "Pangrati".

"Deri tani nuk ka asnjë të dhënë që të provojë se në banesë ka gjetur strehë edhe Nikos Paleokostas që vazhdon të jetë person në kërkim por ne po vazhdojmë një kontroll të imët", u shprehën zyrtarët e policisë duke pohuar faktin se Alket Rizaj dhe e dashura e tij greke do t'i kalojnë gjykatës për rivlerësim mase sigurie që pritet të jetë sërish arresti me burg pa afat.

Ndërkohë, policia u shpreh se me arrestimin e Alket Rizajt, mbyllet një kapitull shumë i rëndësishëm.

Por policia po heton sidomos mbi përdorimin e "Scorpion" në një seri grabitjesh të dhunshme të muajve të fundit në Athinë.

"Ne jemi duke hetuar edhe përdorimin e kësaj arme edhe në disa ngjarje terroriste dhe besojmë se bëhet fjalë për përfshirje në grupe terroriste që shkaktuan kohët e fundit trazira në Athinë", - janë shprehur autoritetet policore në Athinë.

Ndërsa komentet mediatike të ditës për prangosjen e Rizajt, ishin të lidhura me atë se sa do të arrijë shteti ta mbajë sërish në qeli të riun shqiptar i cili dy herë u arratis me helikopter nga burgu dhe shumë herë të tjera i ka ikur policisë në dhjetëra operacione që synon prangosjen e tij.

Prej kohësh, çështja e sigurisë në burgjet greke është vënë në qendër të diskutimeve politike dhe mediatike në Greqi.

KUSH ËSHTË ALKET RIZAJ

Alket Rizaj, 35 vjeç nga Ballshi, i biri i Donikës dhe i Ramizit, emigrant prej vitesh në Greqi, vuante dënimin për vrasjen e dyshuar të një qytetari grek, sipërmarrësin Thanasi Koropiotis.

Sipas policisë, Alketi dyshonte se biznesmeni kishte lidhje me të dashurën e tij ruse, Roksana. Ngjarja ka ndodhur më 3 maj 2003. Autorët e rrëmbyen 30-vjeçarin grek Koropiotis në Marusi dhe më tej me një makinë e dërguan në pyjet e zonës së Atikis ku e ekzekutuan e më pas zhdukën kufomën.

Policia fillimisht arrestoi tre bashkëpunëtorët e Rizajt, dy grekët dhe Kiriako Pakaturidi, Janguli Foka, si dhe një ruse Viktorja Taraseviç, ndërsa një muaj më vonë, në fund të vitit 2003, u arrestua edhe i dyshuari shqiptar Alket Rizaj, i cili konsiderohej po kaq i rrezikshëm sa edhe Nikos Paleokostas.

Alketi u arrestua në "Nea Filadelfia", ku bëri rezistencë në banesën e tij por më pas u prangos.

FAMILJA E RIZAJT: ESHTE I PAFAJSHEM, TE DOREZOHET TE POLICIA SHQIPTARE

Pas arratisë së bujshme të Alketit, e ëma Donika 56-vjeçare, deklaroi nga qyteti i Ballshit ku në lagjen "8 Shkurti" ndodhet shtëpia e familjes Rizaj, se djali ishte i pafajshëm dhe është burgosur me pa të drejtë për vrasje.

"Djali im nuk ka bërë asgjë në Greqi dhe është dënuar kot dhe pa prova prej drejtësisë greke. Ai nuk ka pasur lidhje me ndonjë femër ruse ashtu si kanë publikuar mediat greke. Alketi as ka vrarë njeri dhe as është marrë ndonjëherë me vrasje apo me trafik droge", ka qenë pohimi i Donikës.

Ajo këmbëngul edhe kur thotë: "Djali im nuk është marrë me pisllëqe në Greqi. Për dhjetë vjet në emigracion ka sjellë në shtëpi 4 mijë euro dhe si emigrant, ka punuar në ndërtim e në një lokal banakier".

Duke folur për faktin se mediat e kanë kthyer në një personazh, Donika është shprehur: "Lajmi është fryrë shumë pasi djali im nuk është kriminel. Unë dua të më kthehet në shtëpi shëndoshë e mirë, pasi nuk ka bërë asgjë".

Ndaj ajo ka apeluar: "Eja në shtëpi dhe dorëzohu në policinë shqiptare që të kuptojnë se je i pafajshëm".

POLICIA SHQIPTARE

Alket Rizaj ka ndryshuar identitet

Edhe Policia Shqiptare është vënë në punë prej kohësh në përpjekje për të ndihmuar policinë greke për të gjetur e arrestuar Alket Rizajn.

Burime nga Policia e Shtetit i thanë agjencisë së lajmeve NOA se kanë bërë kërkime të vazhdueshme për të dyshuarin që deri dje ka qenë personi më i kërkuar në Greqi.

Agjentët e policisë shqiptare dhe ekspertët në vendkalimet kufitare kanë pasur vazhdimisht porosi që të verifikojnë me prioritet çdo dyshim për hyrje apo dalje të Alket Rizajt në vendin tonë.

Ndërkohë, policia ka pohuar faktin se Alket Rizaj ka ndërruar emrin në Gjendjen Civile të qarkut Fier, nga Alket në Tini dhe mbiemrin nga Rizaj në Krahanxhouk, por kjo tezë e hedhur nga policia nuk është konsideruar si e vërtetë nga prindërit e tij në Ballsh.

n.s/e.r/f.sh/NOA

Shënim: Raporti është një prodhim i agjencisë NOA, ndalohet rreptësisht publikimi pa u cituar burimi NOA

KOMENTE