English

Tiranë, shkëmbim me armë zjarri në buzuk "Zippo"

Tiranë, 16 nëntor NOA - Terror me të shtëna armësh në derën kryesore të buzuk "Zippo" në Tiranë.

Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së diel kur disa persona kanë dalë nga ambientet e brendshme të buzukut dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.

Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se dyshohet që personat ende të paidentifikuar që qëlluan me armë zjarri kishin konsumuar alkool në buzuk "Zippo".

Ata kanë qëndruar për disa orë në buzuk ku dyshohet se kanë nisur një sherr me disa persona të tjerë dhe më pas kanë dalë jashtë për të vazhduar sherrin.

Sipas policisë pavarësisht ndërhyrjes së truprojave të buzukut, të dyshuarit nuk kanë nguruar të nxjerrin një pistoletë dhe ta zbrazin atë në ajër.

Pas një telefonate që ka mbërritur në policinë e Tiranës, forca të shumta policie mbërritën pranë buzukut për të identifikuar dhe kapur autorët.

Sipas policisë në vendngjarje u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale katër gëzhoja, të cilat u dërguan në I. P Sh, për ekzaminime të mëtejshme.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve ndërsa materialet do t'i kalojnë Prokurorisë, për veprat penale të "prishjes së qetësisë publike" dhe "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

k.k/NOA

KOMENTE