English

Berisha takon krerë të CEZ që blenë OSSH, për çmimin e energjisë

Tiranë, 17 Nëntor NOA - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi pasditen e djeshme një takim pune me nënkryetarin e Bordit të drejtorëve të CEZ grup, zotin Tomas Pleskac, të cilit i kërkoi që rritja e energjisë elektrike të mos kufizohet vetëm në shtrenjtim por edhe ndihmë të familjeve në nevojë.

Në takim, z.Pleskac informoi mbi punën e deritanishme, të bërë nga operatori i sistemit të shpërndarjes kompania CEZ, si dhe prezantoi planin 2 vjeçar të investimeve.

Në emër të bordit të kompanisë CEZ, Pleskac tha se, si investues strategjik kompania CEZ është e përkushtuar të kontribuojë në zhvillimin e tregut shqiptar dhe të ofrojë shërbime me cilësi evropiane për klientët shqiptarë.

Ai u shpreh se qëllimi i veprimtarisë së kësaj kompanie në Shqipëri zhvillohet sipas parimit të përfitimit të dyanshëm, të konsumatorëve shqiptarë dhe kompanisë.

Në këtë kontekst, nënkryetari i Bordit të drejtorëve të CEZ grup, Tomas Pleskac, tha se kompania ka një plan ambicioz investimesh për vitin 2009-2010, të cilat do të jenë rreth 8 miliardë lekë.

Nga ana e tij, Kryeministri garantoi përfaqësuesit e grupit të CEZ për transparencë dhe përkushtim nga ana e qeverisë shqiptare, për realizmin e planeve të tyre në dobi të shqiptarëve.

Ndër të tjera, Kryeministri shprehu besimin që bashkëpunimi i qeverisë shqiptare dhe i Entit Rregullator ERE do të jetë gjithmonë transparent, profesional dhe në përfitim dypalësh, si dhe modeli i tregut i prezantuar në këtë sektor do të vazhdojë të mbështetet dhe të përmirësohet më tej.

Duke sugjeruar që investimeve në Shqipëri i duhen dhënë nxitje për t'i zhvilluar më tej, Kryeministri u shpreh se konsumatorët në nevojë do të ndihmohen në mënyrë më efektive nëpërmjet skemave sociale që do të zbatohen nga qeveria.

Përfaqësuesit e CEZ e siguruan Kryeministrin që do të vazhdojnë investimet për zvogëlimin e humbjeve, përmirësimin e shërbimit duke mbajtur parasysh dhe nxitjen biznesit për investime në Shqipëri.

e.r/NOA

KOMENTE