English

Topalli: Tani që BE pranoi kërkesën tonë për anëtarësim, opozita urgjentisht në Kuvend

Tiranë, 17 nëntor, NOA - Deputetët e Partisë Socialiste duhet të mos humbasin më kohë lidhur me procesin e integrimit tani që ai është më konkret dhe më i prekshëm se kurrë pas miratimit të djeshëm nga Brukseli të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim.

Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli nga Nju Jorku ku gjendet në kuadrin e përzgjedhjes së saj si një ndër 15 kryesuesit e Unionit Ndërparlamentar Botëror ku përfshihen 200 parlamente të botës.

"Pranimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim nga BE është e jashtëzakonshme dhe kjo do të thotë që Shqipëria është përgëzuar edhe për zgjedhjet e 28 qershorit", pohoi ajo në mesazhin e saj drejtuar me këtë rast.

Duke shtuar se ky tashmë përbën një rast, të cilin opozita nuk mund ta humbasë.

"E humbi shansin për të qenë në Parlament, për të kontribuar gjatë këtyre dy muajve për t'u bërë pjesë e kësaj fitoreje, por tani kjo është një ditë e madhe ndaj dhe shfrytëzoj dhe një herë rastin për të ftuar në Parlament deputetët socialistë", tha ajo.

Sipas saj, çdo deputet duhet të përcjellë kontratën që ka me zgjedhësit e tij, ndaj të cilave nuk mund të shpëtojë askush.

"Ndaj dhe unë i ftoj dhe një herë të vijnë në Parlament, të mos humbin momente të tjera", ka shtuar më pas Topalli në lidhje me një fakt të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE