English

Gjendet e mbytur një makinë në Shkumbin po jo shoferi, mendohet ta ketë marrë rrjedha

Elbasan, 18 nëntor, NOA - Një makinë ka dalë nga rruga dhe ka rënë në ujërat e lumit Shkumbin, por drejtuesi i saj nuk gjendet dhe ekspertët në vendngjarje mendojnë se atë mund ta ketë marrë rrjedha e tij.

Ngjarja e rëndë konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Elbasanit, të cilat bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan -Peqin, konkretisht në fshatin Paperr.

Sipas tyre, automjeti i cili drejtohej nga 27-vjeçari Klodian Rroma, lindur në Gramsh dhe banues te ish-Këneta e Durrësit, me targë DR 6305 E ka rënë në lumin Shkumbin pasi ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, por ende nuk dihet përse mund të jetë shkaktuar një devijim i tillë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor me forca të policisë dhe shërbimet e zjarrfikëses, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e mjetit nga ujërat e lumit Shkumbin, por brenda tij nuk u gjend asnjë person.

Ndërkaq, vazhdojnë kërkimet për gjetjen e mundshme të trupit të drejtuesit të makinës përgjatë rrjedhës së lumit.

n.e/NOA

KOMENTE