English

Instituti ESI në Bruksel vlerëson se "Shqipëria është në kohë për vizat"

Bruksel, 19 Nëntor NOA - Gjatë verës së sivjetme, Shqipëria i kishte marrë gjërat disi më me ngadalë, për shkak të zgjedhjeve të Qershorit 2009.

E megjithatë, më 29 Korrik 2009, Qeveria miratoi një Plan Veprimi me afate kohore ambiciozë por gjithsesi realist, për përmbushjen e kushteve të mbetura të Udhërrëfyesit; ndërsa, më 16 Shtator, Qeveria e re u angazhua të bëjë të mundur "lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën Shengen brenda vitit të parë të mandatit qeverisës".

Ky objektiv në Shqipëri u "përkthye" me shpejtësi në veprimtari të bashkërenduara për realizimin e kërkesave të mbetura. Gjatë periudhës Tetor /Nëntor, ESI-ja ( Nisma Europiane për Stabilitet) dhe organizata e tyre partnere, Lëvizja Europiane në Shqipëri, kanë analizuar raportet mbi gatishmërinë e Qeverisë, të përditësuara rregullisht në datat 30 Shtator, 23 Tetor dhe 22 Nëntor.

Ashtu si në rastin e Bosnjes, ne arritëm në përfundimin se Shqipëria ka bërë përparim domethënës, afërsisht në të njëjtin nivel zbatimi që Serbia dhe Mali i Zi kishin arritur në Maj 2009.

Fatmirësisht, ky përparim është njohur nga Parlamenti Europian, Shtetet Anëtare të BE-së (shihni Deklaratën që i bashkëlidhet Opinionit të Parlamentit Europian të 12 Nëntorit) dhe Komisionit Europian.

Në Dhjetor 2009, Komisioni planifikon të dërgojë misione ekspertësh nga vendet anëtare të BE-së në Shqipëri dhe në Bosnje - Hercegovinë për vlerësimin e përparimit të bërë lidhur me Bllokun 1, ndërsa misionet e tjera të vlerësimit do të dërgohen në fillim të vitit 2010.

Me plotësimin deri atëherë të të gjitha kërkesave nga ana e Shqipërisë dhe Bosnje - Hercegovinës, qytetarët e tyre do të mund të përfitojnë nga lëvizja pa viza, duke filluar nga muaji Korrik 2010.

e.r/NOA

KOMENTE