English

Meta: Opozita, ose në Parlament, ose të bëjë dialog në rrugë me batanije!

Tiranë, 19 nëntor, NOA - Opozita ka dy rrugë, ose të vijë në parlament dhe të dialogojë me mazhorancën për kërkesat e saj, ose të bëjë ashtu siç duket se ka zgjedhur, dialog nga sheshi i protestës.

Me një qëndrim të tillë, zv/kryeministri Ilir Meta iu është drejtuar opozitarëve nga faltorja e Kuvendit për bojkotin e zgjatur dhe protestën e paralajmëruar për ditën e nesërme, duke folur para pak minutash në seancën plenare të Kubvendit, ku aktualisht ka marrë fjalën kryetari i qeverisë.

"Ose të ketë dialog dhe të vijnë në parlament ose të bëjnë dialog në rrugë me batanije", ka ironizuar Meta lidhur me një fakt të tillë.

Më tej, ai ka shtuar se zgjedhjet ishin më të mirat të bëra deri tani dhe realizuan standardet e OSBE-së, fakt që u bë i ditur edhe nga raporti i fundit i ndërkombëtarëve. "Ky raport e bëri të qartë se nuk kishte manipulime të cilat që krijonin shqetësime për rezultatin", tha Meta, duke zhvlerësuar në këtë mënyrë kauzën e bojkotit socialist.

Sipas tij, gjërat janë shumë të qarta, duke sqaruar se mazhoranca e ka treguar vullnetin e sa politik për të zgjidhur çështjen edhe me faktin se i ka lënë opozitës shumicën në komisionin hetimor parlamentar që kërkoi për transparencën e zgjedhjeve.

"Askush nuk ka sesi të kërkojë hapjen e kutive në Shqipëri, sepse çdo gjë bëhet në emër të forcimit të shtetit ligjor", e mbylli fjalën e tij Meta, duke këmbëngulur se kapitulli i zgjedhjeve është i mbyllur.

e.r/NOA

KOMENTE