English

Provokimi i Njeriut në pikturat e Dalip Kryeziut, hapet ekspozitë me 30 punime

Nga Melina Selimi

Tiranë, 19 nëntor, NOS - Artisti Dalip Kryeziu do të hapë në Galerinë Kombëtare ekspozitën me rreth 30 punime në akrilik dhe vaj. Është hera e parë që ky piktor kosovar do të ketë një prezantim të plotë në Tiranë, përmes ekspozitës që do hapet ditën e premte me prezencën e artistit dhe personaliteteve të artit pamor.

I tërhequr vitet e fundit, nga provokime që sjellin imazh të fortë estetik dhe ekspresionizëm abstrakt, Dalipi dallohet për afërsinë me temën-portret, bazuar në kokën e njeriut me të cilën krijon piktura që mbështetet edhe në simbolikën e kokës, pozicionit të saj, strukturimit kompozicional, por edhe mishërimit koloristik, duke sjellë kështu një pikturë simbolike ekspresive dhe asbrakte.

Për piktorin me një energji kreative eksperimentuese , portreti mund të shihet edhe si një "peizazh dimri", apo ndonjë stinë tjetër, por edhe ndonjë finese tjetër tematike që mund të sugjerohet edhe përmes titullit të veprës.

Provokacioni i tij i fundit ishte edhe në Frankfurt , ku në ekspozitën me moton apo titullin gjithpërfshirës "Topografia e jetësores", ku në sfondin e pikturës qëndrojnë shumë koka, apo në ndonjë rast vetëm një, artisti Kryeziu provoi të zbërthejë fshehtësitë e begata kuptimore dhe psikologjike e ndjenjore të figurës së tij të preferuar, që këtë prirje deri në një masë mëton ta largojë nga një rutinë apo persiatje e kërkimit në një temë që zbërthehet në variante. Sikur do të thotë se fshehtësitë në botën e njeriut, në kokën e njeriut (në universin e tij të brendshëm ku plekset makrokosmosi me mikrokosmosin), ato janë të thella dhe thuajse të paarritshme.

Kjo edhe e ngacmon krijuesin në hulumtime të vazhdueshme krijuese, për të lënë prapa vetes piktura që po e ngacmojnë opinionin artdashës dhe profesional të veprës së tij.

Artisti pranon se nuk është i panjohur në Shqipëri , madje shton duke qeshur se "Kryeministri Berisha është njëri nga adhuruesit e pikturës sime, me tre piktura që qëndrojnë bukur në koleksionin e tij privat".

Dalip Kryeziu u prezantua po ashtu denjësisht kohë më parë në Panairin Ndërkombëtar të organizuar brenda Bienales së Venecias të Italisë.

Dalip Kryeziu (1964) ka lindur në Kosovë, jeton e punon në Gjermani ku dhe ka një aktivitet të dendur ekspozimesh tepër të suksesshme.

Veçojmë nga personalet e tij ato të këtij viti 2009 në Galeri Arrigoni, Baar (CH); Kunsthalle Arnstadt (Gjermani), 2008; Galerie Grossetti arte contemporanea, Milano (Itali ), 2007. Dalip Kryeziu u prezantua po ashtu denjësisht kohë më parë në Panairin Ndërkombëtar të organizuar brenda Bienales së Venecias të Italisë, si dhe ishte njëri nga gjashtë artistët shqiptarë të përfaqësuar në Bienalen e Pragës 2009, në muajin maj.

KOMENTE