English

Ambasdada e SHBA pro protestës së PS: Mbështesim lirinë e shprehjes dhe tubimit

Tiranë, 20 nëntor, NOA - Ambasada e Shteteve të Bashkuara, përmes një deklarate për shtyp, ka bërë publik qëndrimin e saj pro protestës maratonë të paralajmëruar të opozitës.

"Ambasada amerikane mbështet plotësisht të drejtën për lirinë e shprehjes dhe tubimit për të gjithë njerëzit. Një shprehje e tillë duhet të jetë paqësore dhe të mos cënojë të drejtat e të tjerëve", thuhet konkretisht në këtë deklaratë.

Duke vijuar më pas me një thirrje që autoritetet e kësaj përfaqësie diplomatike u bëjnë të gjithë shqiptarëve për të ruajtur qetësinë dhe mos krijuar incidente gjatë zhvillimit të protestave.

"Si ata që marrin pjesë në protesta, por edhe ata që kanë përgjegjësi të ruajnë rendin publik, duhet të ushtrojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre me qetësi dhe respekt", përfundon deklarata e lëshuar nga ambasada e SHBA-ve.

Gjatë gjithë periudhës së bojkotit të ndërmarrë nga grupi parlamentar socialist, kreu i saj, John Uithers ka dalë vazhdimisht në media duke bërë të ditur qëndrimin e tij pro zgjidhjes së ngërçit politik e duke pohuar se vendi i opozitës është në Kuvend.

Por duke parë se PS ka vendosur ta vazhdojë rrugën e saj me protesta, SHBA nuk del as kundër tyre, duke pohuar se rëndësi ka mbi të gjitha ruajtja e qetësisë dhe moskrijimi i incidenteve të panevojshme.

n.e/NOA

KOMENTE