English

Amnesty International: Të ndërpritet cikli i deprivimit në Shqipëri

Tiranë, 20 Nëntor NOA - Në përvjetorin e njëzetë të miratimit të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (KB), Amnesty International i bën thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë që fëmijët të mos vendosen në jetimore kur është e panevojshme.

Amnesty International është e shqetësuar se varfëria mbetet një nga arsyet kryesore për vendosjen e fëmijëve në jetimore në Shqipëri dhe largimin e tyre nga familja.

Shumë prej këtyre fëmijëve e kanë një prind ose një të afërm, por këta nuk mund ta përballojnë ekonomikisht rritjen e tyre.

Organizata i bën thirrje qeverisë që t'i mbështesë dhe t'u japë një ndihmë të mjaftueshme këtyre familjeve, në mënyrë që ato të mund t'i rrisin fëmijët e tyre brenda familjes. Â

Në një memorandum dërguar këtë javë Presidentit të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, organizata shkruan: "Sot në kujdes rezidencial gjenden fëmijë interesat e të cilëve do të mbroheshin më mirë nëse do të qëndronin me familjet e tyre, dhe të cilët e kanë një prind ose të afërm, që do të kujdesej për ta, sikur t'u ofrohej mundësia e një ndihme ekonomike dhe përkrahjeje tjetër ". Këtyre fëmijëve po u mohohet e drejta për një jetë familjare.

Amnesty International është gjithashtu e shqetësuar se, fëmijëve jetimë dhe atyre pa kujdes prindëror që largohen nga Shtëpitë e Fëmijës, nuk u ofrohet përkujdes individual, mbikëqyrje dhe ndjekje e mëtejshme e mjaftueshme; sidomos ata që dërgohen në shkolla të mesme profesionale me konvikt, nuk marrin mbrojtjen dhe ndihmën e duhur nga shteti deri në moshën e pjekurisë (18 vjeç), siç është e drejta e tyre sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Si rezultat, shumë prej tyre e lënë shkollën dhe nuk marrin aftësitë dhe kualifikimet që do t'u krijonin mundësinë të jetonin në mënyrë të pavarur.

Si persona të rritur, ka të ngjarë që ata të jenë të pastrehë dhe të rrezikohen të jetojnë në kushtet e një varfërie të skajshme dhe përjashtimi shoqëror.

Amnesty International i bën thirrje edhe një herë autoriteteve shqiptare që të zbatojnë të drejtat e jetimëve për të pasur përparësi në strehim dhe punësim, siç kërkohet edhe nga legjislacioni kombëtar.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të miratojë sot Udhëzimet për Kujdesin Alternativ të Fëmijëve. Këto Udhëzime kanë për qëllim, ndër të tjera, që të: "Ndihmojnë dhe nxisin qeveritë të zbatojnë më mirë përgjegjësitë e tyre. . . " dhe: "Të drejtojnë politikat, vendimet, dhe veprimtaritë e të gjithë atyre që merren me mbrojtjen shoqërore dhe mirëqenien e fëmijëve, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, përfshirë edhe shoqërinë civile".

Amnesty International i mirëpret këto Udhëzime, që thonë se: "Fëmijët duhet të vendosen në kujdes alternativ vetëm si mundësi e fundit, kur kjo është në interesat e tyre më të larta dhe, aty ku është e mundur, përkohësisht".

Ato thonë gjithashtu se "Varfëria financiare dhe materiale, ose kushtet që mund t'i atribuohen drejtpërsëdrejti dhe në mënyrë unike një varfërie të tillë, nuk duhet të jenë kurrë i vetmi justifikim për heqjen e një fëmije nga kujdesi prindëror."

Udhëzimet për Kujdesin Alternativ të Fëmijëve kërkojnë gjithashtu që, të rinjve që largohen nga kujdesi, t'u krijohen mundësi arsimore dhe profesionale për t'i ndihmuar ata të bëhen të pavarur financiarisht, si dhe që të kenë qasje në shërbime shoqërore, ligjore dhe shëndetësore, së bashku me mbështetjen e duhur financiare për të rinjtë që largohen nga kujdesi dhe në fazën e pas-kujdesit.

Por, përveç këtyre shërbimeve, Udhëzimet njohin nevojën e fëmijëve dhe të rinjve për mbështetje individuale dhe kërkojnë që "të bëhen përpjekje të veçanta për t'i caktuar çdo fëmije, kur është e mundur, një person të specializuar, që mund të lehtësojë pavarësinë e tyre kur të largohen nga përkujdesi".

Pak sfond

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa masa legjislative dhe masa të tjera për të përmirësuar mbrojtjen e fëmijëve në përkujdes alternativ, por ndikimi praktik i tyre deri më tani ka qenë i kufizuar.

Ndonëse janë në proces shqyrtimi disa projekt-amendamente për ligjin "Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore", nga të cilat mendohet se do të përfitojnë disa kategori jetimësh, mbetet ende për t'u parë nëse këto do të kenë efekt në pakësimin e numrit të fëmijëve të vendosur në përkujdes alternativ.

Në Memorandumin që i ka dërguar autoriteteve shqiptare, Amnesty International bën thirrje për marrjen e masave të mëtejshme, të mbështetura tek Udhëzimet, për të siguruar që në strukturat e përkujdesit të vendosen më pak fëmijë, duke mundësuar përkrahjen e familjeve në rrezik të heqin dorë nga fëmijët e tyre për shkak të kushteve ekonomike.

Organizata, po ashtu, bën thirrje që gjatë periudhës së kalimit drejt një jete të pavarur, të rinjve që dalin nga qendrat e përkujdesit t'u jepet përkrahja dhe këshillimi individual që u nevojitet.

e.r/NOA

KOMENTE