English

Basha, Mirel: Kemi përmbushur plotësisht kriteret për liberalizimin e vizave

Tiranë, 26 nëntor NOA - Përmbushja e kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe ecuria e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian ishin temat kryesore të diskutimit në takimin që Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha zhvilloi sot me Pierre Mirel, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të KE.

Ministri Basha informoi funksionarin e Komisionit Evropian se deri më tani janë përmbushur pothuajse plotësisht kriteret për përfitimin e liberalizimit të vizave me BE.

Ministri Basha i bëri të ditur Mirel se të gjitha projektet e financuara nga BE kanë pasur një ecuri pozitive dhe kanë dhënë një ndihmesë të rëndësishme për arritjen e standardeve të kërkuara në shërbimin policor, në administratën publike, modernizimin e sistemit të gjendjes civile, kontrollin kufitar etj.

Basha iu përgjigj edhe interesimit të Mirel për nivelin e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se ky bashkëpunim ka shënuar rezultate mjaft të larta në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme, e ndërkohë ka shprehje të vullnetit nga të gjitha vendet e rajonit për të thelluar më tej këtë bashkëpunim.

Prioritetin e strukturave policore shqiptare për të goditur me të gjitha mjetet mafien dhe krimin e organizuar, Basha e shprehu edhe në një intervistë për mediat menjëherë pas përfundimit të takimit me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian Pierre Mirel.

"Duke goditur asetet e mafias plotësojmë edhe më tej objektivin strategjik shqiptar, objektiv i cili është përmbushur në masë më ta madhe gjatë katër viteve të shkuara, që është Shqipëria vendi më armiqësor kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

Lufta kundër krimit të organizuar është një histori suksesi në Shqipëri dhe kjo u konstatua edhe javën e kaluar nga Komisioni Evropian.

Por ky është një proces në vazhdim në çdo vend duke përfshirë edhe vendet e BE apo të zonës euroatlantike, ndaj lufta kundër krimit të organizuar është dhe mbetet prioritet i qeverisë shqiptare dhe do të vazhdojë me mjetet e reja ligjore e po ashtu me të gjitha mjetet operative që Policia e Shtetit ka në dispozicion" deklaroi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

k.k/NOA

KOMENTE