English

Greqia "I ftuari i nderit" i Klik Ekspo Group organizon Forumin e 3-të ekonomik greko shqiptar

Tiranë, 28 Nëntor NOA - Greqia, në cilësinë e të shtetit "I ftuari i Nderit" i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group, ishte fokusi qendror i kuvendit të biznesit.

Në vijim të traditës së simotrave evropiane, Klik Ekspo Group këtë vit, me këtë status në ketë panair pagëzoi Greqinë.

I pranishëm ishte Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, Ambasadori i Greqisë në Shqipëri, Nikolaos Pazios, drejtues të lartë të kompanive greke në Shqipëri, përfaqësues të biznesit pjesëmarrës në panair, drejtues të institucioneve publike, si dhe të ftuar të shumtë.

Një nga partneret kryesore të Shqipërisë, si politikisht po ashtu dhe në kahun ekonomiko-social, Greqia është vendi - guest ne këtë edicion të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, duke u pozicionuar dhe strukturalist një hap përpara ne Galerinë e shteteve.

Një gërshetim i qëlluar mes sipërmarrjes greko-shqiptare me veprimtari në Shqipëri, investitorëve qe i aviten tregut shqiptar në fillim si studiues e më pas kthehen në operatorë, dhe pranisë institucionale nën ombrellën e së cilës janë të pranishëm tërthorazi dhe sipërmarrës të vegjël e të mesëm . Pavioni i Greqisë, në edicionin e 16-të të Panairit të Përvitshëm Ndërkombëtar të Klik Ekspo Group, është konkretizimi dhe vënia në praktikë e sfidave që sipërmarrësit dhe institucionet helene do të rrokin në kuadër të Forumit të Tretë Ekonomik të Sipërmarrësve Grekë në Shqipëri.

Nëse depërtimi në tregun shqiptar do të konsiderohej sfidë për studiuesit dhe analistët, gjallëria e Pavionit të Greqisë do të vërtetonte që bëhet fjale për një sfidë të fituar tashmë.

Sfidat dhe perspektivat ishin në qendër të diskutimeve në Forumin e tretë të marrëdhënieve ekonomike greko shqiptare të zhvilluar dje në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group. E ndersa përsëritja mëkon traditën, Forumi i Tretë Ekonomik Greko-Shqiptar, organizuar nga Ambasada e Greqisë (Zyra e Çeshtjeve Ekonomike dhe Tregtare) gjeti në edicionin e 16-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës tokën dhe klimën e favorshme për të mbjellë vazhdimësinë e një partneriteti të ngushtë ekonomiko-politik.

Hovi i një bashkëpunimi të ngushtë me ambasadën e Greqisë jo vetëm promovon sipërmarrjen dhe investimet greke në Shqipëri, por i njeh vendit fqinjë një status të veçantë siç është ai i vendit të Ftuar i Nderit në Panair.

Ambasadori i Greqisë në Shqipëri Nikolaos Pazios, në ditën e parë të këtij Forumi, tha ndër të tjera se, "dhjetëra biznese si dhe Dhoma Tregtie të Greqisë janë të pranishëm në Edicionin e 16-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës gjatë këtij viti.

Të gjithë po realizojnë takime me klientë dhe biznese, duke forcuar në të njëjtën kohë edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ky takim i sotshëm, në Forumin Ekonomik krijon bazën për një perspektivë më të mirë të ekonomisë dhe biznesit.

Në këtë forum do të flasim për kreditimin dhe fusha të ndryshme. Biseda interesante do të ketë për mjedisin dhe ekologjinë. Është e qartë tashmë që do të kemi zhvillime të mëtejshme mes dy vendeve.

Greqia është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë. Në vendin tuaj ka shumë biznese greke që në total kanë një volum investimesh prej 1.2 miliardë euro.

Këto biznese kanë aktivitet dhe volum të madh tregtar në telefoninë e lëvizshme, në industrinë e veshjes, në atë ushqimore, në teknologji dhe sektorë të tjerë. Është e nevojshme të themi që Shqipëria ka marrë ndihma të përhershme nga Greqia. Në këtë kuadër do të investojmë dhe 49.9 milionë euro për të përmirësuar jetesën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Ne kemi 15 projekte që do të zhvillohen nga kompani vendase.

Kështu në infrastrukturë do të investojmë në rrugën Sarandë-Konispol, në aksin e Pogonit. Do të investojmë në zonën e Konispolit si dhe në akse të tjera ndërmjet Gjirokastrës e Sarandës. Më lejoni të them se, ka zhvillime edhe mes njësive periferike, jo vetëm mes atyre qendrore.

Unë e konsideroj të rëndësishme pjesëmarrjen e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Edicionin e 16-të të Panairit Ndërkombëtar organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group. Kjo është një shenjë e rritjes së mundësive për njohje dhe në të njëjtën kohë krijon dimensione të reja mes nesh, mes bizneseve dhe mes dy vendeve".

Ndërsa, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti në përshëndetjen e tij drejtuar Forumit të të Tretë Ekonomik, ndër të tjera, tha se, është një nder për mua të marrë pjesë në këtë Forum të rëndësishëm. Kjo, falë edhe një organizimi me një cilësi shumë të lartë dhe ambienti i ngrohtë për biznesin i krijuar në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës nga shoqëria Klik Ekspo Group.

Ministri Prifti deklaroi se, "biznesi grek në Shqipëri është konsiderohet nga qeveria shqiptare si shumë i rëndësishëm. Aktualisht, biznesi grek përfaqëson 50 % të investimeve të huaja në Shqipëri. Biznesi grek operon në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare në telefoni, sektorin bankar, burimet e energjisë, industri etj. Pavarësisht ndikimit të krizës, volumi tregtar Shqipëri Greqi ka njohur zhvillime të mëdha.

Të njëjtin impenjim e ndikim në ekonominë e Shqipërisë ka edhe ndihma e shtetit grek. Shqipëria ka marrë ndihma të përhershme nga Greqia për të përmirësuar jetesën e qytetarëve shqiptarë. Aktualisht, për përmirësimin e infrastrukturës është duke investuar në rrugën Sarandë-Konispol.

Gjithashtu, i njëjti suport reflektohet edhe në projekte të tjera të rëndësishme për ekonominë shqiptare". Në vijim, Ministri Prifti bëri një panoramë të reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës theksoi uljen e vazhdueshme të taksave ndaj biznesit, duke i konsideruar më të ulëtat në Evropë.

"Ulja e taksave do të vazhdojë nga qeveria shqiptare, pavarësisht kostos që ka në buxhet. Vitin e ardhshëm, tha Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, qeveria ka planifikuar të heqë TVSH-në për shërbimet shëndetësore dhe arsimin. Vitin e ardhshëm në shërbim të përmirësimit të klimës së biznesit do të ngrihet Qendra ose sporteli i vetëm për marrjen e licencave për investimet në energjetikë. Gjithashtu do të ndërtohet dhe një sportel i vetëm për licencat në sektorin minerar".

Në vijim e morën fjalën Drejtori i Përgjithshëm i AMC-së S.Oktapodas, G.Prokopakis, Këshilltar i lartë i Bursës së Greqisë, A.Galatoulas Drejtori i Alpha Bank në Shqipëri, I. Kougionas, Drejtor i Përgjithshëm i NBG Bank, D.Santixis, Drejtori i Përgjithshëm i Tirana Bank.

e.r/NOA

KOMENTE