English

PS: Berisha i turpëroi shqiptarët, por më shumë qytetarët e Kukësit, Tropojës e Hasit

Tiranë, 28 Nëntor NOA - Deputeti socialist, Asllan Dogjani, ish drejtor policie kryesisht në rajonin verior të vendit, vlerësoi sot se Berisha me fjalimin parlamentar kundër Edi Ramës, i turpëroi shqiptarët, por më shumë qytetarët e Kukësit, Tropojës dhe Hasit.

"Është 28 nëntori, dita kur të gjithë duhet të ndihen krenar për atdheun tonë. Si sot 97 vjet më parë, një shqiptar i mençur, Ismail Qemali, i bashkoi gjithë shqiptarët në Vlorë dhe ngriti flamurin në një moment historik që nuk përsëritet më në historinë e çdo kombi.

Por, fatkeqësisht sot shqiptarët nuk mund të jenë krenar për personin që mban kundër vullnetit të tyre karrigen e Kryeministrit", - tha Dogjani.

Ish-kryepolici vlerësoi se "gjuha e urrejtjes që Sali Berisha përdori, nuk është gjuha e shqiptarëve" dhe shtoi:

"Turpet që dëgjuam të dilnin nga goja e Sali Berishës nuk përfaqësojnë kulturën e shqiptarëve, as zakonet e malësorëve, as traditën veriore, aq më keq kur nga goja e tij dëgjuam pikërisht në ditën kur flitej për dhunën ndaj grave, të dhunonte nënat dhe motrat shqiptare nga foltorja e Parlamentit".

Duke përfunduar, Dogjani përsëriti se "Berisha me gjuhën e urrejtjes që përdori në një ditë të paqes shpirtërore, i turpëroi të gjithë shqiptarët, por më shumë turpëroi ne qytetarëve të Qarkut të Kukës, malësorët e mençur të Kukësit, Tropojës dhe Hasit, që gjuhën e urrejtjes e kanë refuzuar jetë e mot".

e.r/NOA

KOMENTE