English

Ajo që duhet të bëjnë të gjithë deputetët

"Të gjithë deputetët duhet t'i përkushtohen miratimit të legjislacionit të nevojshëm për përmbushjen e standardeve për integrimin në BE"

Nga Robert Bosch* Foto: NOA/LSA

Nuk ka kaluar shumë kohë, apo jo, që nga koha kur telefonat fiks dhe telekset ishin mënyra kryesore e komunikimit.

Të gjithë e mbajmë mend atë kohë kur për të marrë informacion shtesë na duhej të konsultonim enciklopedinë dhe për të ruajtur informacionin na duhej një magazinë!

Fatmirësisht, sot komunikimi është dominuar nga interneti, posta elektronike dhe nga telefonia celulare - e gjithë përmbajtja e një biblioteke tashmë mund të transferohet fare lehtë në një kompjuter.

Kështu, përdorimi i instrumenteve bashkëkohorë elektronikë të komunikimit po bëhet gjithnjë e më thelbësor për një funksionim sa më efektiv dhe efiçent të parlamentit.

Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, apo me shkurtim e njohur si ICT, është bërë një mjet thelbësor në procesin ligjvënës, në mbikëqyrjen e qeverisë dhe komunikimin me publikun.

Shumë vendime tani merren në bazë të informacionit elektronik, ku dokumentet bëhen më lehtë të aksesueshëm dhe të disponueshëm se më parë.

Më përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), parlamentet kombëtare mund të jenë më transparentë me qytetarët dhe median, ku këta të fundit kanë më shumë mundësi të ndjekin procesin ligjvënës.

Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit është dukë ripërcaktuar të tërë strukturën e ndërveprimit ndërmjet parlamentit, qeverisë dhe publikut.

***

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është duke ndihmuar në krijimin e qeverisjes elektronike në parlament.

Personeli mbështetës i parlamentit është duke u trajnuar aktualisht për përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit; dosjet e arkivës së parlamentit janë duke u dixhitalizuar; brenda ambienteve të parlamentit është duke u ndërtuar një dhomë kompjuterësh dhe janë krijuar faqe interneti për disa deputetë.

E gjithë kjo ka ndodhur dhe po ndodh si pjesë e Projektit për Mbështetjen e Parlamentit, të financuar nga Mbretëria e Vendeve të Ulëta.

Jemi mbledhur sot të gjithë këtu për të diskutuar rreth Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në parlamentet tona përkatëse, për të shkëmbyer praktikat tona dhe për të mësuar më shumë nga përvoja e njëri-tjetrit.

Duke pasur parasysh se të gjitha parlamentet e rajonit ballafaqohen me të njëjtat sfida, shkëmbimi i përvojave është si rrjedhojë një veprimtari e dobishme.

Kështu që me kënaqësi mirëpresim në mes nesh sot ekspertë të IT-së nga Parlamentet e Sllovenisë, Austrisë dhe Estonisë.

Jemi të interesuar të mësojmë nga përvojat e tyre, duke pasur parasysh përparimet e ndjeshme të këtyre vendeve vitet e fundit në zhvillimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

***

Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit vetëm sa siguron "infrastrukturën" sepse ajo nuk është një "qëllim" në vetvete, dhe e vetme ajo nuk mund ta bëjë një parlament modern dhe demokratik.

Ajo është e dobishme vetëm në duart e deputetëve që janë të gatshëm të punojnë fort, me një frymë transparence dhe llogaridhënieje, për të mirën e mbarë publikut.

Së pari, të gjithë deputetët duhet t'i përkushtohen miratimit të legjislacionit të nevojshëm për përmbushjen e standardeve për integrimin në BE.

Të gjithë deputetët duhet t'i përkushtohen informimit dhe konsultimit me publikun gjatë hartimit të ligjeve.

Pavarësisht nga ngjyrimet politike, të gjithë deputetët duhet ta monitorojnë nga afër punën e qeverisë duke i kushtuar vëmendje cilësisë së veprimtarisë së saj.

Kështu, duket se instalimi i kabllove, kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera është pjesa më e lehtë e këtij procesi.

Megjithëse menaxhimi efikas i informacionit dhe aftësitë e pranueshme të përdoruesve janë thelbësore për këtë qëllim, nevojiten gjithashtu përpjekje të mëtejshme nga deputetët, personeli i parlamentit dhe publiku i gjerë, me qëllim që këto instrumente të jenë sa më të dobishme.

Metodat ekzistuese të punës dhe ndarja e përgjegjësive, përfshirë këtu rregullat procedurale të parlamentit, duhet të pësojnë ndryshime ose nëse është e nevojshme le të hartohen nga e para.

Vërej se në një studim të fundit të botuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, tregohet se publiku i gjerë nuk e ka kuptuar ende rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në procesin e integrimit rajonal.

(*) Fjalimi i kryetarit të Prezencës së OSBE në seminarin rajonal të sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve, Tiranë, 3-4 Dhjetor 2009

KOMENTE