English

KMDLNJ: Askush mbi ligjin, retorikë apo mundësi, të bëhet realitet!

Prishtinë, 4 Dhjetor NOA - Gjykatësi i EULEX-it, Françesko Florin ka caktuar masën e arrestit kundër Nazim Bllacës, i dyshuar për vrasje dhe përfshirje në krim të organizuar. Dyshimi është bazuar në deklarimin e tij publik ku pranon pjesëmarrjen e tij aktive në veprime inkriminuese.

Atij iu caktua masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji gjë që ka sjellë sot reagimin e KMDLNJ (Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut), e cila vlerëson se kjo masë është në kundërshtim të plotë me natyrën e veprës për çka dyshohet i arrestuari Nazim Bllaca.

"Masa e arrestit shtëpiak zakonisht shqiptohet për raste më të lehta apo kur i arrestuari nuk bën pjesë në grup me rrezikshmëri të lartë", - thotë KMDLNJ.

Ajo shton se rasti i Nazmi Bllacës është krejtësisht i kundërt, pasi kemi të bëjmë për dyshim të kryerjes së krimeve shumë serioze të ngjashme me atë të Eskadroneve të Vdekjes në Amerikën latine ku sundonin juntat ushtarake.

Andaj, për KMDLNJ, është e pabesueshme dhe e pakuptueshme shqiptimi i masës së arrestit shtëpiak në këtë rast.

"Mund të jetë përcaktuese për marrjen e këtij vendimi pendimi i të arrestuarit dhe gatishmëria e tij për të bashkëpunuar me hetuesit e këtij rasti", - vijon qëndrimin e tij KMDLNJ që dyshon se këtij rasti do t'i shkohet deri në fund.

Ndërsa vlerëson se ka përpjekje serioze për të luftuar krimin e organizuar dhe zbardhjen e vrasjeve me motive politike, etnike dhe të tjera në periudhën pas përfundimit të luftës në Kosovë.

KMDLNJ, gjithashtu dyshon në paanshmërinë e gjykatave sepse ky rast edhe në këtë fazë të saj, më shumë trajtohet si atraksion medial dhe qërim hesapesh midis subjekteve të caktuara politike se sa një rast që do të duhej të ishte çështje ekskluzive e gjykatave dhe organeve të drejtësisë.

"Me këtë rast janë duke manipuluar të gjithë, gjë që i dëmton hetimet dhe zbardhjen e krimev", - thotë KMDLNJ .

Sipas saj, ballafaqimi i dëshmitarëve kundër pohimeve të Nazim Bllacës, të cilët kanë një të kaluar kriminale për çka edhe janë dënuar, në masë të madhe e kompromentojnë luftën kundër krimit të organizuar në përgjithësi dhe këtij rasti në veçanti.

"Përpjekje që ky rast të ndërlidhet me zgjedhje lokale, imazhin e Kosovës apo me fillimin e punës së GJND-së në Hagë është krejtësisht e pabazë dhe kundër logjikës së shëndoshë. Ndërsa, përpjekjet që të kompromentohet lufta e UÇK-së duke e ndërlidhur me këtë rast dhe raste të ngjashme duhet të hidhen poshtë sepse këto krime kanë ndodhur pas përfundimit të luftës dhe natyra e tyre është krejtësisht kriminale", - thotë KMDLNJ.

Këtu, Drejtori Ekzekutiv i KMDLNj-së, Behxhet Shala paralajmëron se askush nuk mund ta përdorë luftën si mbulesë për aktivitete kriminale.

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, zbardhja e vrasjeve, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pikërisht krijojnë kushte për zgjedhje të lira, e përmirësojnë imazhin e Kosovës dhe krijojnë kushte për procese integruese në mekanizmat ndërkombëtarë.

Prandaj, KMDLNJ insiston që të hetohet ky rast dhe rastet tjera seriozisht, pa ndikime të politikës në mënyrë që të krijohen kushtet që të gjithë ata që janë përgjegjës të përballen me ligjin, pavarësisht postit politik që e kanë apo statusit shoqëror!

KMDLNJ thotë se i fton të gjithë politikanët që kanë prova të cilat do të ndihmonin në zbardhje e krimeve që ato t'i dërgojnë tek organet e hetuesisë e jo ta keqpërdorin për promovime personale apo qëllime politike.

"Në këtë mënyrë po prexhudikohet fajësia, para se të kenë përfunduar hetimet", - thotë KMDLNJ dhe përfundon: "Slogani i shumëpërsëritur, edhe nga vendorët e sidomos nga ndërkombëtarët se "askush nuk mund të jetë mbi ligjin" tash duhet të zbatohet në praktikë! Nëse vërtetë duam ta luftojmë krimin".

a.b/e.r/NOA

KOMENTE