English

Engjëjt liberatorë

"Ata erdhën në horizontin shqiptar në atë dhjetor ashtu siç i besoi çdo shqiptar si engjëj të vërtetë. Ata u shfaqën si engjëj liberatorë ndaj dhe ne duhet të nderojmë me 8 dhjetor veprën e tyre të madhe. 8 dhjetori duhet të bashkojë të gjithë antikomunistët shqiptar, sepse beteja zhvillohej me sistemin me barbarë e më ç'njerëzor që shqiptarët kishin njohur"

Sali Berisha* Foto: NOA/LSA

Kryetar i Partisë Demokratike

Dua të përshëndes anëtarët, militantët, simpatizantët e PD-së dhe të ftojë nga kjo platformë qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë me 8 dhjetor, ditën që ndau historinë e këtij kombi, ditën që ndau epokat për shqiptarët, ditën që bëri të mundur që shqiptarët të kalojnë nga mbretëri e shtypjes së egër e regjimit totalitar, e frikës, ndjekjes, persekutimit, izolimit më të thellë në historinë e tyre në mbretërinë e lirisë, dinjitetit, rrugës drejt Evropës, drejt prosperitetit.

Më 8 dhjetor, të mblidhemi të gjithë në sheshin Skënderbej, të mblidhemi të gjithë qytetarët e Tiranës, për të të nderuar me respektin më të thellë nderimin më të madh për ato djem edhe vajza të Universitetit të Tiranës, të cilët në një akt legjende u përballën në rrugët e Kryeqytetit me diktaturën me të egër që Evropa kishte njohur ndonjëherë dhe e gjunjëzuan atë.

Ata erdhën në horizontin shqiptar në atë dhjetor ashtu siç i besoi çdo shqiptar si engjëj të vërtet. Ata u shfaqën si engjëj liberatorë ndaj dhe ne duhet të nderojmë me 8 dhjetor veprën e tyre të madhe. 8 dhjetori duhet të bashkojë të gjithë antikomunistët shqiptar, sepse beteja zhvillohej me sistemin me barbarë e më ç'njerëzor që shqiptarët kishin njohur.

8 dhjetori ishte dita e antikomunizmit, ngadhënjimi mbi këtë regjim barbar. Por 8 dhjetori për çdo shqiptar u faktua gjithashtu si dita që i hapi dyert për kombin të dilte nga një udhëkryq i tmerrshëm në të cilin e kishte vendosur regjimi komunist. Një udhëkryq që nuk kishte lidhje, nuk i përkiste atij as lindja as perëndimi. Ky komb ka lindur një komb perëndimor, ka një trashëgimi perëndimore, ka një perspektivë perëndimore dhe këtë e afirmoi edhe njëherë madhërishëm 8 dhjetori.

Ne kemi një arsye tjetër shumë të madhe për t'u bashkuar të gjithë në sheshin Skënderbej në 8 dhjetor, sepse ne jemi burrat dhe gratë që shembëm 19 vjet më parë murin e Berlinit në Tiranë. Ne sot qëndrojmë në kursin e historisë të shndërrimit të ëndrrave tona në realitet, të shndërrimit të idealit të dhjetorit në realitet, lokomotivë e integrimit të këtij vendi.

Këtë 8 dhjetor ne e festojmë më krenarë se kurrë, e festojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Ato ditë dhjetori kur studentët dhe qytetarët e Tiranës brohorisnin e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, ata brohorisnin për idealin euroatlantik të shqiptarëve që sot është kthyer në realitet.

Sot ne nderojmë 8 dhjetorin e vitit 1990, pasi Bashkimi Evropian ka pranuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, ideal madhor ky i lëvizjes studentore. Ne e nderojmë 8 dhjetorin sot në prag të realizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptar në mbarë Evropën.

Ne nderojmë 8 dhjetorin pasi së bashku gjatë këtyre 4 viteve shembëm murin e krimit që ndante Shqipërinë me Evropën, murin e korrupsionit që kishte mbyllur dyert e integrimit të Shqipërisë në Evropë dhe vijmë më të vendosur se kurrë të shembim murin e mafies që aleanca punisto - mafioze përpiqet të lartësoj çdo ditë e më shumë.

Ne qëndrojmë të vendosur në zotimin tonë për shtetin ligjor që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë që meritojnë.

Në 8 dhjetor ne nderojmë përpjekjen tonë të madhe në këto 19 vite, sakrificat e mëdha që bëmë për të mos u mposhtur. Janë të shumtë ata që nga 8 dhjetori gjer sot ranë për tu bërë të pavdekshëm dhe prehen sot në altarin e lirisë.

Por forcat politike që lindën nga 8 dhjetori, shpirti dhe ideali i 8 dhjetorit mbetën të pamposhtura. Sot ne jemi sërish në timon, sot ne jemi në mision të madh dhe të sigurt se ne do ta kompletojmë atë.

Unë ftoj të gjithë shqiptarët pavarësisht nga bindjet partiake që i besojnë pluralizmit, vlerave të tij. Ftoj të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve partiake për të cilët ëndrra evropiane është projekti më i bukur për ata dhe familjet e tyre. Ftoj të gjithë shqiptarët, për të cilët liria dhe vlerat e saj janë vlerat më të çmuara.

Ftoj të gjithë shqiptarët, për të cilët familja është vlerë themelore e kësaj shoqërie, të bashkohemi në sheshin "Skënderbej" për të festuar një ditë ndër më të mëdha në historinë e kombit tonë, për t'u bashkuar në të gjitha kombet e Evropës që festuan në nëntor me një madhështi të merituar, të paparë, rrëzimin e murit të Berlinit, 20 vjetorin e rënies së tij.

8 dhjetorin ne do ta shndërrojmë në një ditë të së ardhmes sonë, sepse ne nuk punojmë as për lavdinë dhe as dhe për historinë. Përkushtimi ynë i plotë është ndryshimi i këtij vendi, çdo ditë, çdo javë e çdo muaj.

Ndaj ftoj të bashkohemi në sheshin "Skënderbej" të gjithë qytetarët e këtij vendi për të cilët ndryshimi është një dëshirë, është vullnet, të cilët janë të vendosur të kontribuojnë në këtë ndryshim jetik dhe përcaktues për fatet tona, për të ardhmen e fëmijëve tanë, të ardhmen e shqiptarëve në tërësi.

***

Tirana duhet të jetë në krye të festës. Lëvizja e dhjetorit është lëvizja e dhjetorit të studentëve të Universitetit të Tiranës. Këtu në Tiranë Azem Hajdari së bashku me studentët e tij nisi atë betejë, në të cilin u shemb muri i Berlinit, u shemb për të mos u ngritur më kurrë.

Pra le të bëjmë përpjekjen më të madhe gjer në ora 16.00 të ditës së martë për të organizuar festën më të bukur, më të ngrohtë, më miqësore e festive që kryeqyteti ka njohur. Unë kam bindjen se qytetarët e Tiranës do të dëshmohen në lartësitë e idealeve të dhjetorit.

(*) Fjala e mbajtur në mbledhjen e zhvilluar sot në Partinë Demokratike me anëtarët e kryesisë së Tiranës dhe deputetët e Qarkut të Tiranës

KOMENTE