Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Militarizimi serb dhe çmilitarizimi shqiptar
English

Militarizimi serb dhe çmilitarizimi shqiptar

Prej vitit 1999 Serbia ka vazhduar të militarizohet, kurse shqiptarët janë demilitarizuar gjithandej. Së pari u çarmatos e pastaj u shua Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga Hashim Thaçi e Agim Çeku, më pas u çarmatos e u zhduk Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc nga Pieter Feithi, proces ky që vazhdoi me demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nga Ali Ahmeti, dhe përfundoi me çmilitarizimin e Shqipërisë (anëtare e NATO-s)

Nga Vetëvendosje!

Në shtator të vitit 2005, Lëvizja VETËVENDOSJE! vuri në pah rrezikun e ndërtimit të një baze të madhe ushtarake të Serbisë në Luginë të Preshevës. Atëbotë, ndërtimin e kësaj baze e kishte paralajmëruar udhëheqësi i atëhershëm i Qendrës Koordinuese Serbe për Kosovën (tash Ministria e Serbisë për Kosovën dhe Metohinë), Nebojsha Çoviq, më 20 janar 2005 në B92. Sipas arsyetimit që e dha Çoviqi lidhur me këtë investim të shtetit serb në Luginë të Preshevës, baza po ndërtohej në mënyrë që ‘serbët e Anamoravës të ndjeheshin të sigurt'. Në po atë kohë sapo kishte filluar diskutimi i procesit të decentralizimit, e bashkë me të edhe kontaktet e para shqiptaro-serbe, që u zhvilluan më tej në të ashtuquajtura ‘negociata për zgjidhjen e statusit të Kosovës', të cilat fillimisht edhe nga përfaqësuesit shqiptarë, edhe nga ata serbë, quheshin ‘bisedime teknike'.

Katër vjet pas fillimit të ndërtimit të kësaj baze në Cepotin të Serbisë dhe pak kilometra larg Bujanocit, ajo u inaugurua nga krerët e lartë të shtetit serb këtyre ditëve të fundit. Kjo hapësirë ushtarake e Serbisë shtrihet në 22 hektarë dhe përmban 66 objekte me kapacitet prej 1.000 ushtarësh. Por udhëheqësit politikë e ushtarakë serbë tashmë kanë bërë të ditur se kjo bazë do të zgjerohet më tej në të ardhmen për të mbuluar një hapësirë shtrirjeje prej 60 hektarësh.

Prej vitit 1999 Serbia ka vazhduar të militarizohet, kurse shqiptarët janë demilitarizuar gjithandej. Së pari u çarmatos e pastaj u shua Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga Hashim Thaçi e Agim Çeku, më pas u çarmatos e u zhduk Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc nga Pieter Feithi, proces ky që vazhdoi me demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nga Ali Ahmeti, dhe përfundoi me çmilitarizimin e Shqipërisë (anëtare e NATO-s). Në anën tjetër Serbia dhe Greqia (anëtare e NATO-s) vazhduan armatosjen e tyre nga Rusia, kurse Maqedonia bleu helikopterë të sofistikuar ushtarakë nga Ukraina.

Baza ushtarake serbe në Cepotin nuk po bëhet veç për Kosovën. As veç për Luginën. Por për të dyja. Më saktë: që të rritet trysnia për ndarjen e Kosovës përmes decentralizimit etnik në Anamoravë, në njërën anë, ashtu që Lugina të izolohet nga lidhja e natyrshme me Kosovën, kurse, në anën tjetër, duke e terrorizuar Luginën që ta nxis shpërnguljen e popullatës shqiptare prej atje. Fushatës për ndarjen e Kosovës dhe zbrazjen e Luginës nga shqiptarët, Serbia tash ia shtoi edhe aspektin e hapur ushtarak. Serbia po e rrit investimin në kapatitetin e saj destabilizues, nëpërmjet të cilit i shtynë më tej planet e veta politike dhe ushtarake në Kosovë dhe rajon.

Në vend që ta dënonte këtë militarizim të Serbisë pikërisht mbi Luginë dhe në kufi me Kosovën, KFOR-i nxitoi që të na e heqte frikën neve shqiptarëve, gjoja baza ushtarake serbe nuk qenka kurrfarë rreziku për Luginën e as për Kosovën. Kurse krerët e lartë të NATO-s as që reaguan. Njëjtë bënë edhe politikanët e Kosovës. Kjo është sikur t'i vëresh natën vonë hajnat e maskuar që kanë hyrë për ta vjedhur shtëpinë, duke pretenduar se po sheh maskenball.

Këtë maskenball e pa edhe Jakup Krasniqi pas takimit me Albert Rohan, kur tha se Serbia ka të drejtë të ndërtojë ç'të dojë në territorin e vet, pa e përmendur trysninë dhe diskriminimin e vazhdueshëm që po u bëhet shqiptarëve atje nga shteti serb. Kurse një ditë pas, kryeparlamentari Krasniqi, sa për sy e faqe e botoi një shkrim në Koha Ditore, të cilin ia drejtoi popullit sa për ta kryer anën ceremoniale të imazhit patriotik, e ku shkruante se tash pas ndërtimit të bazës serbe shqiptarët duhet të mendojnë seriozisht për sigurinë e tyre. Ky është Jakupi ynë që me ndërkombëtarët flet urt' e but', kurse përpara popullit rrah gjoks me deklarata e shkrime. Ai na shet mend si analist, ndërkohë që si Kryetar i Kuvendit asnjëherë të vetme nuk e problematizoi çështjen e pjesës veriore të Kosovës apo Luginën e Preshevës. Analisti privat Jakup kërcënon me shkrime, kryeparlamentari institucionalist Jakup serviloset me veprime.

Serbia po militarizohet, shqiptarët po demilitarizohen. Serbia me 40.000 kriminelë lufte po futet në BE, shqiptarët proevropianë po refuzohen. Serbia po ndërton baza ushtarake dhjetërahektarëshe, shqiptarët duarthatë po akuzohen për deklarata radikale e nacionalizëm ekstrem. Maqedonia po e shkel Marrëveshjen e Ohrit, Kosova po detyrohet të qëndrojë e mbështetur pas murit me Planin e Ahtisaarit. Kosova po akuzohet pse nuk po i integron serbët, shqiptarët e Maqedonisë po akuzohen pse s'po integrohen në të.

Deri kur do ta lejojmë një situatë kaq të padrejtë mbi kurrizin tonë?

KOMENTE