English

Berisha: Mafias duhet t'i digjet toka nën këmbë. Lufta ndaj saj, jo vetëm iluzion

Tiranë, 7 dhjetor, NOA - Mafias duhet t'i digjet toka nën këmbë dhe nëse nuk shkatërrohen perandoritë e saj, lufta ndaj saj do të mbetet vetëm një iluzion.

Por qeveria shqiptare është e vendosur ta çojë deri në fund atë dhe zotohet se ka për ta fituar edhe këtë luftë, siç fitoi atë me krimin e organizuar dhe bandat krinimale.

Këto deklarata kryeminstri Berisha i bëri sot gjatë konferencës rajonale për sigurinë që po mbahet në Tiranë, e organizuar nga Kuvendi.

Duke përmendur sigurinë si një përparësi kombëtare, Berisha tha se ndonëse qeveria e tij erdhi në pushtet në një terren mjaft të vështirë, në një vend ku bandat dhe organizatat kriminale bënin ligjin në qytete dhe institucione, ai u shpalli atyre luftë me zero tolerancë.

"U çmontuan banda dhe mbi 100 bosa e anëtarë të tyre u arrestuan dhe u vunë para ligjit.

Këto ia dolën që Shqipëria dy vitet e fundit të ketë treguesin e kriminalitetit nën mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian", tha kryeministri.

Duke shtuar më pas se moratoriumi i skafeve, ishte një tjetër masë e rëndësishme që bëri që 400 km ujore të Shqipërisë të mos përmenden më si eksportuese kriminaliteti drejt BE-së

Por shtoi, se Shqipëria ka ende problem mafian, duke u zotuar se atë që pësuan bandat do të pësojë edhe mafia.

Lidhur me këtë, ai përmendi edhe ligjin e ri antimafia, duke shtuar se rezultati i tij ka nevojë për bashkëpunimin me Italinë dhe Greqinë.

Ndërsa në lidhje me anëtarësimet e reja të vendeve të rajonit në Aleancën e Atlantikut, kryeministri tha se Shqipëria mbështet fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë dhe Kosovës në NATO.

a.ymeraj/NOA

KOMENTE