English

Gjoba, reagon Bonati: Plehrat ishin për dekorin e protestës, do denoncojmë dhunën e policisë

Tiranë, 7 dhjetor NOA - Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Territorit Urban, Hantin Bonati ka reaguar sot pas gjobës prej 1 milionë lekësh të reja që Drejtoria e Mjedisit i vendosi sot, Bashkisë së Tiranës për plehrat që u morën nga Sharra dhe u vendosën në qendër të Tiranës.

Bonati deklaroi sot se plerat ishin thjesht për dekorin e protestës së bashkiakëve që u zhvillua dy ditë më parë.

"Duke marr shkas nga deklarimi i Ministrisë së Mjedisit, lidhur me ndotjen dhe gjobën e vënë ndaj Bashkisë së Tiranës, gjatë protestës së pushtetit vendor ditën e shtunë, dua të sqaroj opinionin publik dhe vetë zv/Ministrat e qeverisë, se të vetmit ndotës në atë ditë kanë qenë forcat e Policisë së Shtetit, të cilët në mënyrë të dhunshme kanë marrë nga duart e punonjësve të Bashkisë qeset me mbeturina të cilat ishin element dekori i protestës sonë dhe i kanë hedhur nëpër rrugë e në skarpatet e Lanës.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës në bazë të ligjit dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak, do të procedojë me gjobitjen e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për ndotje të mjedisit, ndërsa Drejtoria Juridike është duke përgatitur kallëzimin penal për ushtrim dhune të jashtëligjshme nga ana e forcave policore" tha sot Bonati.

"Gjobën tonë e mbështesim me prova filmike dhe fotografike dhe nëse Ministria nuk i ka parë kronikat televizive, ne i vëmë në dispozicion një DVD, me të gjitha filmimet përkatëse, në mënyrë që gjobës së saj t'i ndryshojë destinacionin, kundrejt Policisë së Shtetit.

Në të njëjtin kuadër, ne si Inspektoriat kemi konstatuar që Këshilli i Ministrave në fushatën publicitare për organizimin e një eventi në sheshin "Skënderbej", ka përdorur në një masë të gjerë vendosjen e mbi 1000 posterave nëpër pemët e qytetit, duke i dëmtuar ato dhe duke shkelur ligjin.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës do të procedojë me gjobitjen e subjektit juridik "Këshilli i Ministrave", me gjobë në vlerën 129 mijë lekë.

Njoftohet subjekti në fjalë, se afatet e ankimimit janë 30 ditë nga vendosja e gjobës" përfundoi Hantin Bonati.

k.k/NOA

Â

KOMENTE