English

PES: Të mbështeten kërkesat e Partisë Socialiste për shkeljet e 28 qershorit

Pragë, ‏7 Dhjetor NOA - Në Shqipëri demokracia dhe duhet të rivendoset dhe kërkesat e Partisë Socialiste të Shqipërisë në lidhje me të gjitha shkeljet dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit duhet të mbështeten.

Kjo ishte deklarata e bërë sot në Pragë, nga Partia e Socialistëve Europianë e cila shprehu shqetësim të thellë në raport me krizën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës me të cilën përballet Shqipëria.

***

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama mori pjesë në ditën e parë të kongresit të Partisë Socialiste Europian, që zhvillohet në Pragë.

Rama zhvilloi disa takime me drejtues të ndryshëm të partive të majta në Europë, mes të cilëve me Pier Luixhi Bersani, kryetar i Partisë Demokratike Italiane, ish Kryeministrin D'Alema, me Komisioneren në Komisionin Europian Maria Damanaki, me Kryetarin e Partise Social Demokrate Gjermane, Gabriel Sigmar, me Branko Cervenkosvsky, kryetar i LSDM - ish President i Maqedonisë dhe me kryetarin e Partisë Socialiste bullgare, Sergey Stanishev.

Një takim të veçantë, Kryetari i Partisë Socialiste zhvilloi me Sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste Luis Ayala.

 Në takimin e posaçëm që Kongresi i PES zhvilloi për çështjet e Ballkanit u propozua një qëndrim të PES mbi zhvillimet politike në Shqipëri. Në dokumentin që mori pëlqimin e të gjithë të partive në tryezë thuhej:

Partia e Socialistëve Europianë shpreh shqetësim të thellë në raport me krizën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës me të cilën përballet Shqipëria.

PES i jep mbështetje të plotë qëndrimit të mbajtur nga Internacionalja Socialiste mbi krizën me të cilën përballet Shqipëria dhe thekson se "në Shqipëri demokracia dhe duhet të rivendoset dhe kërkesat e Partisë Socialiste të Shqipërisë në lidhje me të gjitha shkeljet dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit duhet të mbështeten.

Kongresi i PES i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe Koalicionit Qeverisës të respektojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese, duke garantuar transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit, përmes një hetimi parlamentar që plotëson të gjitha kërkesat legjitime të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Kongresi i PES i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe Koalicionit Qeverisës të gjejnë një zgjidhje, e cila do t'i jepte fund krizës politike dhe do të mundësonte kthimin e Partisë Socialiste në Parlament.

PES mbështet angazhimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.

e.l/NOA

KOMENTE