English

Plehrat në protestë, Drejtoria e Mjedisit në Tiranë gjobit me 1 milionë lekë bashkinë

Tiranë, 7 dhjetor NOA - Agjencia Rajonale e Mjedisit Tiranë gjobit me 10 milionë lekë të vjetra Ndërmarrjen Pastrim Gjelbërimit nr. 1 të Bashkisë së Tiranës pasi ka marrë plehra nga Shara për t'i vendosur në qendër të kryeqytetit.

Në një deklaratë për shtyp lëshuar sot nga Drejtoria e Mjedisit Tiranë thuhej se u mor informacioni nga policia e shtetit ku, në datën 4 dhe 5 dhjetor 2009 është konstatuar se në rrugë dhe drejtime të ndryshme të qytetit të Tiranës, mjete të Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit nr.1 të Bashkisë Tirane, kanë pasur si destinacion qendrën e kryeqytetit saktësisht bulevardin "Dëshmorët e Kombit " për të shkarkuar plehra të marra nga Sharra dhe drejtime të tjera të sistemuara në qese plastike të zeza.

"Bazuar dhe verifikimit në vend, referuar ligjit nr. 9010 dt. 13/ 02/2003, për administrim mjedisor të mbetjeve të ngurta, Agjencia Rajonale e Mjedisit Tiranë, penalizon Ndërmarrjen Pastrim Gjelbërim nr. 1 të Bashkisë së Tiranës, me masën gjobë, 1milion lekë të reja për kundravajtje administrative" thuhej më tej në deklaratën e Drejtorisë së Mjedisit Tiranë.

Qeset e zeza u vendosën gjatë protestës së bashkive para kryeministrisë dy ditë më parë për të simbolizuar mungesën e fondet për sektorin e pastrimit.

k.k/NOA

KOMENTE