English

Çamët protestë para zyrave të KE, kërkesat për pronat i paraqesin në një promemorie

Tiranë, 9 dhjetor, NOA - Përfaqësues të komunitetit çam në vendin tonë, të kryesuar nga krerët e partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU) janë tubuar sot në një protestë paqësore para mjediseve të zyrave të delegacionit të Komisionit Evropian në kryeqytetin shqiptar.

Gjatë kësaj proteste, deputetët e PDU-së Dashamir Tahiri dhe Shpëtim Idrizi, janë takuar me shefin e KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, të cilit i kanë dorëzuar edhe një promemorie me kërkesat që ky komunitet paraqet për respektimin e të drejtave të tij.

"Do të përshkallëzojmë më tej protestat tona. Komuniteti çam, 300 mijë veta në të gjithë vendin", ka bërë me dijeni deputeti Idrizi.

Ai sqaroi se promemoria e dorëzuar Lohanit është hartuar nga Partia për Drejtësi dhe Unitet (PDU) dhe Instituti i Studimeve "Çamëria".

"Kërkojmë përmes saj që Greqia të pranojë fajin për gjenocidin ndaj çamëve si edhe kompensim të pronave të konfiskuara. Qeveria të përpiqet më shumë për këtë çështje", tha ndër të tjera Idrizi.

Sipas tij, në këtë promemorie paraqitet edhe kërkesa për dëmshpërblim ndaj viktimave të familjeve çame si edhe restaurim të së drejtës së pronës së tyre.

"Qeveria të shfrytëzojë traktatin e fqinjësisë së mirë me Greqinë për t'i arritur këto", ka përfunduar deklaratën e tij kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi.

a.ymeraj/NOA

KOMENTE