English

Mitingu, Tahiri: 4 milionë euro kostoja e paguar nga xhepat e shqiptarëve për Berishën

Tiranë, 9 dhjetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri ka deklaruar sot koston e paguar sipas tij nga xhepat e shqiptarëve për mitingun e Sali Berishës.

Sipas, Tahirit mitingu i djeshëm ka kushtuar 4 milionë euro dhe është paguar nga xhepat e shqiptarëve.

"Dje, partia në pushtet organizoi mitingun radhës në kulmin e fushatës së saj të dhunës dhe denigrimit jo vetëm ndaj opozitës, jo vetëm ndaj pushtetit vendor, por edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë.

Shqiptarët duhet të dinë se kanë paguar nga xhepat e tyre për mitingun e djeshëm të partisë në pushtet, plot 2 milion Euro" tha Tahiri.

Deputeti socialist ka bërë llogaritë e shpenzimeve të 4 milionë eurove ku sipas tij janë paguar për postera, printime, transport me autobusë dhe reklama ne median e shkruar dhe vizive, afërsisht 1.7 milion Euro, koncertin dhe fishekzjarre afërsisht 228.000 Euro.

"Përveç kësaj kostoje që është kosto e drejtpërdrejtë për organizimin e mitingut, janë edhe 2 milion euro të tjera, kosto e shkaktuar nga mungesa e punës dhe ofrimit të shërbimeve dje nga administrata publike, rrogat e paguara për një ditë punë të munguar dhe shërbime të paafruara.

Sot, në ditën e luftës kundër korrupsionit, qeveria më korruptuar e Evropës, Kryeministri që korrupsionin e ka kthyer në sistemin e ngushtë prej të cilit përfitojnë familjarët, ministrat dhe sejmenët e pushtetit, qeveria që detyron shqiptarët t'i paguajnë me taksat e tyre edhe rrogën e ministrave të korruptuar, që detyron shqiptarët të paguajnë edhe koston e shtuar prej 300 milion eurosh të tunelit të shembur, vodhi dje nga çdo familje shqiptare edhe 2 milion euro të tjera vetëm për të organizuar mitingun e diktaturës qeveritare, jo mitingun e demokracisë qytetare" tha Tahiri.

k.k/NOA

Â

KOMENTE