Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Berisha shpreson që kriza të prodhojë një opozitë të re
English

Berisha shpreson që kriza të prodhojë një "opozitë të re"

Asnjë opozitë nuk mund të llogaritet si opozitë administrative dhe asnjë rëndësi nuk ka fakti se si Gjykata Kushtetuese do të interpretojë mandatet e deputetëve të opozitës

Mero Baze*

Kryeministri Sali Berisha po përpiqet të përdor krizën politike në vend, si një rast për të eliminuar lidershipin politik të opozitës. Ndërkohë që aktorët më të rëndësishëm vendas dhe ata ndërkombëtarë po këmbëngulin për dialog për zgjidhjen e krizës, kryeministri Berisha radikalizon qëllimshëm gjuhën e tij ndaj opozitës për të mbajtur larg një zgjidhje politike.

Një arsye e besueshme është se zoti Berisha ka nevojë për krizën politike, si një mënyrë për të rrënuar opozitën me shpresë se do ta mposhtë atë nga pikëpamja administrative dhe financiare. Artikulimet e qarta të Berishës duket se nuk duan të zgjidhin krizën, por ta përdorin krizën për të goditur lidershipin e opozitës. Berisha po përdor disa deklarata naive të ndonjë të mandatuari të opozitës që flet për hyrje formale të deputetëve të opozitës në fillim të pranverës në Kuvend, ku Berisha shpreson se do të djeg mandatet e opozitës dhe do të përpiqet të përçajë opozitën me kandidatët e rinj për deputetë.

Ky vështrim kaq i thjeshtë i krizës dhe përpjekja për ta përdorur atë si një mënyrë për të shkatërruar opozitën do të përkeqësojë dhe më tej parametrat e kësaj krize dhe do ta bëjë dhe më të rëndë. Asnjë opozitë nuk mund të llogaritet si opozitë administrative dhe asnjë rëndësi nuk ka fakti se si Gjykata Kushtetuese do të interpretojë mandatet e deputetëve të opozitës. Opozita politike është përfaqësuese e kauzës politike dhe jo një tërësi nëpunësish në këtë rast prej 65 rrogëtarësh. Askush nga populli opozitar apo shoqëria shqiptare nuk është i shqetësuar ku do të marrë rrogën ndonjë deputet i opozitës, po ku do ta zhvillojë ai betejën politike. Asnjë mjet administrativ nuk mund të zëvendësoj opozitën, edhe sikur në parlament në vend të saj të futen 65 nipa e mbesa të Sali Berishës. Përpjekja për të përdorur krizën politike dhe radikalizimin e saj si një mekanizëm për të shkatërruar opozitën e bën dhe më ogurzezë shkakun pse ka lindur kjo krizë, pasi na kujton të gjithëve një sistem të menduar lufte për shkatërrimin e opozitës në Shqipëri dhe një ëndërr të vjetër të zotit Berisha për të kontrolluar partinë kundërshtare.

Njësoj si në vitin 1996, kur Berisha përpiqej të zëvendësonte Fatos Nanon me Ilir Metën, tani po përpiqet të zëvendësojë Edi Ramën me Ilir Metët. Njësoj si në vitin 1996 kur ai rriti represionin ndaj medies kritike, ai tani po bën çmendurira ligjore dhe politike duke punuar natë e ditë për të shkatërruar aktorët kryesorë të medies kritike në vend. Njësoj si në vitin 1996 kur problemin e vjedhjes së votave përpiqej ta mbulonte si krizë komunikimi me faktorin ndërkombëtar dhe tani po përpiqet të injorojë çdo rekomandim të perëndimit për dialog dhe po forcon tonet e luftës.

Ai është fokusuar gjerësisht te një taktikë e qartë dhe shumë vulgare, që synon ta konsiderojë krizën politike si problem personal të Edi Ramës. Ky është një këndvështrim i rrezikshëm i krizës pasi në vend të zgjidhjes së krizës, ai synon të prodhojë një krizë të re në lidershipin e opozitës, gjë që natyrisht as e ka në dorë dhe as ka shanse ta arrijë. Harxhimi i energjive për të prodhuar një krizë tjetër kundër kësaj krize, vetëm sa na rrit kostot e zgjidhjes së kësaj krize që kemi nëpër këmbë, me të cilat Berisha po përpiqet të justifikojë reprezaljet e tij financiare dhe antiligjore ndaj biznesmenëve dhe medieve kritike me të.

Vala e re e protestave të paralajmëruara nga opozita natyrisht që do ta ngrejë dhe më shumë tensionin dhe do ta zbehë dhe më shumë luftën e Berishës për ta zgjidhur krizën duke eliminuar opozitën. Futja në spiralen e zgjidhjes së krizës dhe e aktorëve të tjerë vendas dhe ndërkombëtarë, natyrisht që e bëjnë më të vështirë kauzën e Berishës që përpiqet të përdorë krizën politike për të eliminuar opozitën dhe jo për të eliminuar problemin që kanë prodhuar zgjedhjet e 28 Qershorit dhe pushteti i diskutueshëm i tij. Përpjekjet e tij për të eksportuar krizën politike të prodhuar nga zgjedhjet te një krizë e re që ai ëndërron se mund të kapë kundërshtarin e tij nga kjo betejë, janë një kosto e re për shoqërinë shqiptare që pret t'i kthehet normalitetit.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE